I riu i shkruan psikologes: Më ndihmo të heq dorë nga kafeja!
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila!
Unë që po ju shkruaj jam një djalë 23 vjeç. Problemi im është se kam filluar të pi kafe të shpeshta gjatë ditës, kur nuk e pi kam si dridhje trupi apo situate të tjera. Nuk dua të kem varësi ndaj kafes pasi mendoj se jam në një moshë të re ende. Si e mendoni ju situatën time? Faleminderit e punë të mbarë!
Psikologia Enertila Bekteshi, përgjigjet!
Përshëndetje lexues të Dritare.net!
Varësia ka të bëj me përdorimin e tepërt që mund të dëmtojë shëndetin , ndërveprimet sociale apo edhe fusha të tjera të jetës. Ka njerëz që kenë probleme me përdorimin e tepërt me kafeinën dhe prishin ritmin e jetës në mënyrë negative, që do të thotë se kanë shumë nevojë për të për të funksionuar në jetën e përditshme. Dridhjet mund të jenë një shenjë që ti ke nevojë për kafeinë apo mund të kesh problemet me gjumin, dhimbje koke, mungesa energjie. Për të provuar të hiqni varësinë ndaj kafeinës ju mund të provoni ndryshime në stilin e jetës.
Flini mjaftueshëm, përpiquni t’i përmbaheni orarit të gjumit të shëndetshëm. Zëvendësoni kafenë, në vend që të pini kafe provoni ta zëvendësoni me një pije më të shëndetshme, çajra bimorë ose lëngje natyrale Mundohuni të analizoni efektin e kafeinës tek ju. Ndoshta disa nga qëndrimet tuaja shkaktohen nga nervozizmi që po ju shkakton kafeina. Është e rëndësishme të merret parasysh efekti i kafeinës në trup si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Varësia nga kafeina është më e zakonshme nga sa mendoni. Dua tu them se shumë njerëz abuzojnë me kafen për të rritur produktivitetin e tyre dhe përpiqen të mbulojnë gjithçka. Nëse kafeja po ju shkakton efekte negative mendore dhe fizike, është e rëndësishme të mendoni se çfarë qëndron pas këtij konsumi të tepruar. Uroj shumë që të kem qenë një opinion i vlefshëm për ju. Gjithë të mirat!/dritare.net