
E reja i kërkon ndihmë psikologes: E vuaj shumë pamjen time!
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila
Unë që ju shkruaj jam një vajzë që çdo ditë e më shumë po e vuaj paraqitjen e trupit tim. Jam duke u kujdesur por jo mjaftueshëm mesa duket. Kjo më shqetëson shumë. Ju lutëm të më këshilloni që të paktën të mund të qetësoj veten sadopak. Ju faleminderit e punë të mbarë.
Përshëndetje lexues të Dritare.net
Imazhi i trupit i referohet mendimit subjektiv që kemi për trupin tonë, që do të thotë se kjo ide mund të jetë krejtësisht e ndryshme nga pamja aktuale e trupit tonë. Këto ndjenja, mendime dhe sjellje që lidhen me imazhin e trupit tonë mund të kenë një ndikim të fortë në shëndetin tonë mendor. Disa nga problemet kryesore që mund të lindin kur ne fillojmë të mos duam trupin tonë është pakënaqësia e trupit që mund të jetë një arsye për tu zhvilluar çrregullimi depresiv. Mungesa e pranimit të trupit tonë mund të çojë në përjetimin e disa çrregullimeve të të ngrënit gjithashtu .Të pranosh trupin tënd do të thotë të mësosh të kesh një imazh pozitiv të trupit
Në këndvështrimin tim e dashur lexuesja jonë një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të praktikuar dashurinë për veten është të themi se jemi mirënjohës për trupin tonë. Ne shpesh i projektojmë pasiguritë tona te të tjerët. Dhe priremi t'i gjykojmë ashpër të tjerët sepse gjykojmë edhe veten tonë. Në këtë rast e dashur lexuesja jonë duhet të mbani mend se kur jemi më të sjellshëm me të tjerët, ne priremi për të qenë më të sjellshëm me veten. Ndaj mos e krahasoni veten me të tjerët.
Për të pasur një imazh më pozitiv të trupit, duhet të ecni përpara përballë pasigurive tuaja. Pra, në vend që të përqendroheni në aspektet negative të trupit tuaj, përpiquni të shihni se në çfarë shkëlqeni. Në këtë mënyrë, sa herë që keni një mendim negativ për trupin tuaj, përpiquni ta kundërshtoni atë me diçka më pozitive. Mund të jetë gjithashtu e dobishme të bëni lista të gjërave pozitive për trupin dhe imazhin e trupit tuaj. Për ta pranuar veten fizikisht, një ide e mirë është të provoni të lexoni diçka për të përmirësuar vetëvlerësimin tuaj.
Kujdesuni për shëndetin tuaj mendor lexuesja jonë . Një pjesë e rëndësishme e fillimit të pranimit të trupit tuaj është të përpiqeni të ndaloni fiksimin për trupin tuaj. Në vend të kësaj, mund të jetë më mirë të mendoni për gjëra të tjera përveç pamjes fizike. Ju mund t'i zëvendësoni këto mendime duke u fokusuar në pasionet tuaja. Përqendrimi në mendjen tuaj dhe kujdesi për trupin tuaj ju ndihmon të pranoni veten ashtu siç jeni. Shpresoj shumë që këndvështrimi im tu ndihmoj në situatën tuaj. Gjithë të mirat./dritare.net

















