
Tagliatelle me salsiçe nga shef Fredi, idealja për këtë fundjavë!
Dritare.net
Këtë fundjavë po ju japim leje të hani ca tagliatelle. Sepse tagliatelle si ato që bën shef Fredi nuk keni provuar ndonjëherë. Ndaj shefi e ndau me dritare.net recetën aq shumë të kërkuar nga të gjithë.
Sot do t’ju tregojmë sesi të gatuani tagliatelle me salsiçe, presh dhe domate. Bëjeni dhe ju këtë recetë në shtëpi, do të ishte idealja për një darkë të shtune apo të diele!
Ja receta!
Përbërësit për tagliatelle, për 4-5 persona
500 gram miell
3 vezë fshati
1 lugë vaj ulliri
Për salcën
vaj ulliri,
salsiçe,
domate
presh
kripë
Përgatitja
Hidhni miellin në një enë, ose mbi tavolinë, hapeni pak brenda dhe në të shtoni 3 kokrra vezë. Shtoni një lugë vaj ulliri, 100 ml ujë. Trazojeni përbërjen në mesin e miellit me pirun dhe pastaj me dorë. Ngjisheni mirë brumin, deri sa të formohet masa e duhur. Brumi duhet të jetë i trashë, aq sa të mund ta manovroni me duar. Vendoseni brumin të pushojë në frigorifer për 30 minuta.
Prijeni brumin në disa pjesë. Merrni njërën dhe hapeni fillimisht me dorë dhe pastaj me petës. Hidhini herë pas here miell petës së hapur. Pasi të jetë hapur mirë peta, shtoni mbi të miell dhe paloseni. Shtoni miell dhe paloseni sërish. Hidhini pak miell sipër petës së palosur dhe filloni prijeni në fije jo shumë të holla.
Tenxheres me ujin e nxehtë hidhini pak kripë. Pasi të ketë valuar uji shtoni, tagliatelle-t. Ndërsa zihen tagliatelle-t mund të përgatitni salcën.
Në një tigan hidhni pak vaj ulliri dhe shtoni salsiçet, që të skuqen pak. Prini preshin hollë dhe domatet në kubike. Pasi të jetë skuqur salsiçja, shuajeni me pak raki dhe lëreni të avullohet mirë. Pastaj shtoni domaten dhe preshin, hidhuni dhe pak kripë dhe trazojini vazhdimisht se mos ju digjen.
Tagliatelle-t e ziera, shtojini te tigani me salcën dhe përziejini mirë. Hiqni nga zjarri dhe vendosni në një pjatë. Ju bëfshin mirë!/dritare.net

















