
E ndërsa jemi të izoluar në shtëpi, e vetmja gjë me të cilën kalojmë kohën dhe eksperimentojmë sa të duam është ushqimi. Dhurata Thanasi e Lugës së Argjendtë ka postuar një recetë të rrallë në Instagram, të cilën dritare.net ka vendosur ta ndajmë me ju.
“Këput nja dy koqe portokalle o jetë dhe bëni një sallatë të mirë! Hidhë ca lejmon e kripë bashkë, vaj himarjoti, ca presh të egër, të njëmë adhá, e pak rigon çike sipër! E do shoç çdo hash o Jetó!”
Këto janë fjalët që më thoshte Nó (nënë) Lefteria (Andoni), vite më parë kur vizitova fshatin e bukur të Ilias-it pranë Vunoit dhe me duart e saj më mësonte këtë sallatë kaq të thjeshtë, por kaq sublime në shije. E rrallë si bregu shqiptar! Shoqërojeni me pak verë Vlosh të Lagunës së Nartës. Gjeni në YouTube Grupin e Pilurit tek këndon “Vajzë e valëve” dhe më thoni nëse nuk ju duket sikur jeni në atë çikë vend.
•Përbërës
•2 portokalle organike
•1 presh i freskët (pjesa e bardhë)
• 1 limon
• 1 lugë kafeje mjaltë shumëlulesh
• kripë e trashë Narte
•rigon i thatë
Përgatitja
Pasi keni larë mirë portokallet, i prisni ato në feta me trashësi jo më shumë se 2mm. I shtroni në një pjatë të sheshtë.
• Në një tas shtoni mjaltin, kripën, piperin e zi, vajin e ullirit dhe përziejini përbërësit që të njëtrajtësohen.
• Shtoni preshtë e prerë në feta
• Më pas shtoni ullinjtë
• Lezetoni sallatën me salcën e sapopërgatitur
• Aromatizojeni sallatën me pak rigon
•Shënim: Jo të gjitha familjet e Bregut përdorin mjaltin. Nó Lefterija e kish mësuar nga një prift në Vuno dhe e bënte të tillë me mjaltin e koshereve të saja që i vinte “kundruall” detit./dritare.net

















