
Receta e Edlirës, speca të mbushur me perime dhe bullgur!
Dritare.net
Specat e mbushur, është receta që çdo kush do ta preferonte në një vakt dreke apo darke. Me perimet e stinës, është një vakt fantastik. Edlira Ruzi, ka gatuar sot për ne recetën e specave të mbushur, por jo atë tradicionalen me oriz, por me bullgur.
“Lexova që bollguri ka vlera të larta ushqyese, përmban fibra, hekur, magnez, ndaj është mirë që ta bëjmë pjesë të dietës sonë”, thotë Edlira.
Ka mënyra të ndryshme për ta gatuar bollgurin dhe kjo e Edilrës është njëra prej tyre. Ajo ka zgjedhur që fillimisht ta ziejë bollgurin për disa minuta.
Receta për specat e mbushur:
Skuqni mishin e grirë në një enë me pak vaj.
Ndërkohë grini qepët. Në këtë sezon mirë është të përdorni qepë të njoma, pasi do t’i japin një tjetër shije gjellës.
Më pas shtojini ato te mishi që po skuqet dhe lërini zjarr jo shumë të lartë.
Ndërkohë që mishi skuqet me qepën, filloni të përgatisni perimet.
Grini kungullin në kubikë të vegjël dhe shtojeni masës që po skuqet. Në të njëjtën mënyrë veproni edhe me perimet e tjera. Më pas specat, dhe sipas dëshirës edhe patëllxhanë. Në fund shtoni domatet.
Shtoni edhe pak ujë dhe lëreni masën të ziejë për disa minuta. Më pas hidhni bollgurin e zier. Mos harroni kripë, piper dhe koper.
Me masën e përgatitur mbushni specat në një tavë. Në fund hidhni një gotë ujë dhe lëreni në furrë. Për disa minuta receta është gati./L.F-dritare.net

















