 
		                       Receta/ Dhurata Thanasi sjell biskotat xhenoveze me livandë
Dritare.net

Dhurata Thanasi e Lugës së Argjendtë ka botuar një recetë biskotash, me livandë. Kjo recetë nuk është dosido, por kështu i bënin xhenovezët e moçëm.
Më poshtë receta e biskotës me livandë nga Luga e Argjendtë!
“Këto janë biskota që i ka bërë ime më, ime gjyshe e ndoshta dhe stërgjyshja! Nuk di të them kush më tej, por xhenovezët e moçëm i bënin kështu!” I mora me pak drojë dhe mosbesimin e dikujt që livandon e kishte veçse quajtur parfum për aromë. Sapo e shijova në gojë, aroma e livandës shpërtheu duke shkrirë masën e butë të brumit të pjekur në gjalpë dhe sheqerit me pak kripë, ashtu siç dallgët e buta të detit shpërbënin kalatë e rërës së fëmijërisë sonë. Ishin biskotat e para prej livandoje që provoja në fillim verën e vitit 2000, kur për herë të parë takova my mother-in-love.
 Përbërës:
 • 700 gr miell
 • 350 gr gjalpë i rrahur (jo i freskët! Pra pa ujë!!!)
 • lëkura e grimcuar e një kokërr limoni
 • 350 gr sheqer i bardhë
 • 1 grusht lule livando (kokrra vjollcë)
 • 2 kokrra vezë të mëdha
 • 1lugë kafe kripë e ashpër
 • 2 lugë çaji pluhur pjekës
 
 Përgatitja:
 • Në një grirës bashkoni vezët me gjalpin e prerë në kubikë të vegjël, sheqerin, livandon dhe grihini derisa të formohet një krem i hollë
 • Sitni miellin dhe pluhurin pjekës
 • Shtoni kripën, lëkurt e limonit dhe kremin e gjalpit e përgatitur më parë
 • Formoni brumin dhe lereni për 10 minuta në frigorifer
 • Me ndihmën e një petësi hapni një petë me trashësi 50 ml dhe priteni me forma sipas dëshirës
 • Shtroni një letër kuzhine mbi tavën e biskotave dhe vendosini këto të fundit në furrë të parangrohur për 10-12 minuta në temperaturën 160 gr C.
 Shoqëroheni me një verë Shaketra xhenoveze nën tingujt e “Se stasera sono qui” kënduar nga Luigi Tenco.”


 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       