
Jepini shije karantinës me cheesecake e shef Gentit dhe bonbonet e Edlirës!
Dritare.net
Edlira Ruzi nga dritare.net dhe Shef Genti Malaveci nga Hotel Flower i dhuruan një pasdite plot shije ndjekësve të Instagram-it.
Edlira dhe shef Genti, gatuan me ndjekësit dy receta super të shijshme. Të dyja recetat ishin të shef Gentit.
Pasi ndihmoi Edlirën të gatuante bonbonet e shijshme me fruta të thata dhe çokollatë të bardhë, shef Genti na gatoi një cheesecake të kripur. Vetëm nga pamja dhe ngjyrat na shkoi goja lëng dhe jo më ta provonim.
Të dyja recetat ishin super të thjeshta për t’u gatuar. Dhe në kushte karantine, me përbërës që gjendjen kollaj, mund t'i përgatisni dhe ju.
Dritare.net i ka sjellë për ju të dyja recetat e shijshme. Në fillim cheesecake e kripur të shef Gentit dhe pastaj bonbonet me fruta pylli të Edlirës. E keni ju në dorë të zgjidhni cilën do të përgatisni të parën. Ne kemi në dorë të ndajmë me ju recetat dhe t’i japim pak shije karantinës suaj.
Cheesecake i kripur i shef Gentit!
Përbërësit
Bukë me harupi. Në vend të saj buke e thatë peksimadhe
Lëng shege
Pak sheqer
Pekmez ose mjaltë
Vaj ulliri
Krem djathi
Pomodorini të pjekura
Pomodorini të thata
Salcë pikante
Gjethe timo të freskëta
Panxhar i pjekur me verë të kuqe, vaj ulliri, timo dhe kripë të trashë, në 140 gradë
Gjethe kritamo turshi
Dhe kripë
Përgatitja Fusni bukën me harupi në grirëse, shtoni vaj ulliri dhe pak pekmez.
Lërini të grihen. Shiheni me sy pasi grihet nëse është lidhur apo jo përbërja. Nëse ende jo shtoni pak vaj ulliri ose pekmez. Shtoni gjethet e timos së e freskët dhe pak lëkurë limoni.
Në një tigan tjetër shtoni lëng shege dhe pak sheqer dhe vëreni të zihet. Do ta lini në zjarr deri sa të mpikset përbërja, të dalë një e treta e masës totale.
Merrni një pjatë, vendosni diçka ku mund të vendosni përbërjen. Mund ta vendosni në formë turbe, në formë cheesecake, në formë katrore, apo të çrregullt, ose në gotë. Pasi e vendosni në formë, ngjisheni mirë me lugë. Shtoni kremin e djathit, hapeni mirë. Grijini dhe pak lëkurë limoni sipër!
Në një tas shtoni pak pomodorini të pjekura, disa domate të thata, pak vaj, disa gjethe timo, pak kripë, pak salcë pikante. Shtoni pak nga lëngu i shegës dhe përziejini.
Merrni disa kokrra panxhari dhe prijini! Prisni dhe pak avokado në feta.
Te pjata vendosni pomodorinit në formë rrethi dhe shtoni në mes panxharin dhe copat e avokados. Vendosni pak gjethe kritamo turshi nëse keni dhe grijini pak lëkurë limoni. Mund t’i hidhni edhe pak gjethe menteje.
Pastaj hiqni formën nga përbërja. Salcën që ju mbeti nga pomodorinit me shurupin e shegës hidheni anash pjatës. Ju bëftë mirë!
Pasi të keni ngrënë cheesecake e shef Gentit me patjetër do të donit pak ëmbëlsirë. Ku ka ëmbëlsirë më të shijshme se bonbonet që bëri Edlira. Ja receta!
Bonbone me fruta të thata dhe çokollatë të bardhë
Përbërësit
2-3 lloje frutash të thata, papaja, kajsi, rrush, ose qershi, ose boronicë të thatë. Duhen 200-250 gram në total.
300 gram çokollatë e bardhë ose e zezë
Pluhur bajamesh
Tërshërë
Një lugë konjak
Përgatitja
Grihen frutat e thata. Të jenë në formën e një prevedeje, jo të grira shumë hollë, të kenë pak kokrra. Pasi grihen të gjitha frutat e thata, i bëni bashkë në një enë dhe shtoni pak konjak, afërsisht një lugë gjelle. Përzejeni përbërjen bashkë.
Merrni pluhurin e bajames dhe tërshërën. Shtoni pak nga pak të dyja dhe e përziejeni me dorë masën. Pastaj shtoni pluhur bajamesh dhe tërshërë derisa masa të trashet dhe të mund t’i bëni bonbonet me dorë.
Ndërkohë vini çokollatën të shkrihet, në një tenxhere me ujë jo të valuar. Çokollata duhet të shkrihet në temperaturë 30 gradë celsius. Vendoseni tenxheren me çokollatën sipër asaj me ujë. Tenxherja nuk duhet të pjekë tek uji. Ndërsa shkrin çokollata përziejeni me avash. Ndërkohë përgatisni bonbonet me dorë, të jenë pak më të vogla se një kokërr arre. Pastaj futini bonbonet një nga një në çokollatën e shkrirë, nxirrini dhe vërini në një tepsi. Futini në frigorifer të ftohen. Pastaj futini për herë të dytë në çokollatë. Nxirrini dhe lërini të ftohen sërish.
Këto ishin dy recetat për sot. Aq të mira sa nuk përshkruhen me fjalë, duhet t’i provoni me patjetër!/K.C/dritare.net

















