Veshjet më të kritikuara të njerëzve të rëndësishëm, të Shtëpisë së Bardhë!
Dritare.net
Nga ish Zonja e Parë Melanie Trump deri tek Zëvendëspresidentja e parë femër Kamala Harris, shumë zonja dhe zotërinj të Shtëpisë së Bardhë janë kritikuar herë pas herë për veshjet e tyre të papërshtatshme për pozicionet e tyre të rëndësishme. Mesa duket nuk janë vetëm kryeministri italian Giuseppe Conte apo kryeministri i vendit tonë Edi Rama që përfliten për stilin e tyre. Edhe personazhet kryesore të Shtëpisë së Bardhë nuk kanë shpëtim nga reagimet e publikut. Ndonjëherë veshja flet më shumë se fjalët. Këto janë disa nga veshjet e tyre që kanë ngjallur më shumë debate dhe polemika këto 10 vitet e fundit.
Melanie Trump është përfolur disa herë për veshje të papërshtatshme në evenimente të rëndësishme. Në 18 vjetorin e sulmit terrorist të kullave binjake, ajo veshi një fustan ku dallohej një vizatim i një ndërtesë që dukej sikur përplasej nga një avion. Stilistët e Melanie thanë se veshja nuk supozohej të paraqiste skenën e 11 shtatorit 2001 dhe se ishte komplet e paqëllimshme.
Një rast tjetër ku Melanie u kritikua rëndë ishte momenti kur ajo veshi një xhaketë ku shkruhej "I really dont care, do u?" (Unë nuk dua t'ia di, po ti?). Ajo e veshi këtë xhaketë të Zara-s kur shkoi të vizitonte fëmijët që ishin ndarë nga prindërit e tyre në kufirin Meksikë-SHBA. Veshja bëri bujë në Twitter duke e cilësuar si komplet të papërshtatshme dhe një papërgjegjshmëri nga ana e Melanie.
"Një rrëmujë" dhe "mungesë respekti", këto ishin kryefjalët që përshkruan daljen e Kamala Harris në kopertinën e Vogue. Fotografia e numrit të muajit shkurt, u cilësua si aspak artistike, me një Harris të veshur me atlete dhe skenografi të rastësishme, jeshile dhe rozë, që simbolizonte shoqatën studentore “Alpha Kappa Alpha”,në të cilën ka qenë pjesë Harris. Njerëzit menduan se ky set fotografik nuk i jepte rëndësinë e duhur zonjës Harris e cila po bën histori si Zëvendëspresidentja e parë e SHBA.
Jo vetëm gratë në politikë kritikohen për stilin. Nga sulmet nuk ka shpëtuar as ish Presidenti Barack Obama. Duket për të qeshur se si ai ka ngritur publikun në këmbë vetëm me një kostum ngjyrë bezhë. Kostumi i tij u diskutua në shumë debate televizive, i cili u quajt komplet joserioz dhe i papërshtatshëm për një President. /S.F.-dritare.net