Disa njerëz nuk e kanë aspak problem të mbulojnë fytyrën me maskë dhe arsyeja që nuk e kanë problem nuk është shëndetësore por psikologjike. Për njerëzit me komplekse ky është një mekanizëm përballimi me ankthin.
Karantina nuk ka qenë shumë e vështirë për Jay Lee. Të shikosh filma dhe të porosisësh jashtë ka qenë gjithmonë përshkrimi i një nate perfekte për të. Lee, pronari 32-vjeçar i një biznesi të vogël në Leicester, është një introvert. Dhe megjithëse viti 2020 kishte vështirësitë e saj, një përfitim që ka pasur ai nga pandemia ka qenë veshja e maskave të fytyrës.
Lee gjithmonë ka pasur frikë nga takimet rastësore me miqtë dhe të njohurit e vjetër nëpër qytet, duke i parë këto ndërveprime spontane si jashtëzakonisht të vështira për të. Ai i kishte zakon t'i bënte shëtitjet e tij në një mënyrë të atillë që të minimizonte mundësinë e takimit me dikë që njihte. Ai dilte vetëm kur po afrohej ora policore që të mos kishte shumë njerëz jashtë.
"Që kur kam filluar të vesh maskën, nuk e kam më aq të vështirë të takoj familjen dhe miqtë," thotë ai. Tani, ai shkon nëpër dyqane kur të dojë, pa u shqetësuar se kë mund të shohë. Ai shpreson që, edhe pas mbarimit të pandemisë, do të jetë akoma e pranueshme nga shoqëria që të veshësh një maskë.
Vendosja e maskës është, për shumicën prej nesh, një sakrificë e bezdisshme, por e vlefshme: është një nga mënyrat më efektive për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19. Akoma, shumica prej nesh presim me padurim ditën kur mund "t'i zhveshim" përsëri fytyrat tona në publik. Maskat i bëjnë me mjegull syzet tona dhe na bllokojnë poret e fytyrës duke e dëmtuar atë. Ato janë të bezdisshme për shumicën prej nesh.
Megjithatë, disa po e shijojnë fshehurazi veshjen e tyre, për lloj-lloj arsyesh. Disa e pëlqejnë mënyrën sesi maskat zvogëlojnë ose ndryshojnë ndërveprimet me njerëzit, të cilat mund të shkaktojnë dhe ankth shoqëror. Por a duhet të përdoret ky mekanizëm për të përballuar ankthin dhe çfarë do të ndodhë me këta njerëz kur pandemia do të marrë fund?
"Introvertët mund të ndihen mirë që nuk kanë pse të flasin me njerëz që nuk i njohin dhe aq mirë, por në planin afatgjatë, kur dalin nga zona e tyre e rehatisë dhe sfidojnë vetveten ata mund të formojnë një marrëdhënie vërtet përmbushëse dhe pozitive, "thotë Kathryn Stamoulis, një psikologe dhe këshilltare e shëndetit mendor në New York. Në mënyrë të ngjashme, shumë nga pacientët e saj adoleshentë preferojnë mësimin në Zoom, duke e parë këtë mënyrë si më pak stresuese sesa të shoqërohen me shokët e klasës dhe të merren me mësuesit personalisht.
Por Stamoulis nuk shqetësohet shumë për pasojat afatgjata të mbajtjes së maskës. "Unë nuk mendoj se kjo është një gjë e mirë për zhvillimin e lidhjeve emocionale, por gjatë kësaj periudhe ankthi mbajtja e maskës mund të jetë për disa njerëz një mundësi për të gjetur pak rehati larg njerëzve." /S.F.-dritare.net