
Ekzekutohet në Elbasan Bujar Çela / Vëllai i një prej autorëve të grabitjes së bujshme në Rinas
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Elbasan. Shtetasi Bujar Çela, u vra sot në me armë zjarri, para një lokali rreth orës 06:00 në fshatin Bradashesh. Ai u ekzekutua nga tre persona, të cilat sipas burimeve paraprake, dyshohet se kanë qenë të veshur me uniformë policie. Bujar Çela, është vëllai i Talo Çelës, një emër jo pak i dëgjuar në botën e krimit. Ai është shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për disa vepra penale. Ndër to, ai dyshohet se është autori i ngjarjes së bujshme të prillit të kaluar, në Rinas, ku nën kërcënimin e armëve një grup personash të maskuar, arritën të vjedhin sasi të konsiderueshme parash që po ngarkoheshin në avion. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të qytetit të Elbasanit, pika kontrolli në akset rrugore nacionale për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje./L.F-dritare.net

















