Na ndiqni edhe në

Kronikë

Detaje nga salla e gjyqit, 14-vjeçari që vrau Martin Canin refuzon të bashkëpunojë me drejtësinë!

Detaje nga salla e gjyqit, 14-vjeçari që vrau Martin Canin refuzon

Gjykata e Tiranës, seksioni i të miturve, dha sot masën e sigurisë arrest me burg për 14-vjeçarin e arrestuar si autor të vrasjes me thikë të Martin Canit, edhe ky vetëm 14 vjeç. Të dy nxënës të shkollës “Fan Noli’ në Tiranë, pak metra larg së cilës ndodhi vrasja. Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë u mbajt në një spital privat të kryeqytetit ku i mituri po merr mjekim për shkak të plagës që ka marrë në dorë prej ditës kur ndodhi vrasja.

Bëhet me dije se i mituri nuk është treguar bashkëpunues për të treguar se çfarë ka ndodhur mesditën e 18 nëntorit 2024, kur dy të fëmijët sapo kishin dalë nga mësimi. Të miturit i është kërkuar disa herë të japë shpjegime por ka refuzuar duke thënë vetëm: Nuk mbaj mend çfarë ka ndodhur”.

14 vjeçari nuk ka pranuar as të tregojë se ku e ka fshehur armën e krimit. Ndërkohë grupi hetimor po vijon hetimet pasi autori nuk ka qenë i vetëm në ngjarje. Janë marrë në pyetje disa bashkëmoshatarë të tjerë.

Çfarë kërkon të zbardhin hetuesit?

Nuk është gjetur ende arma e krimit, thika, telefoni i të miturit dhe çanta e tij. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë ndërsa është marrë dhe dëshmia e mësuesve, e oficeres së sigurisë. Gjithashtu po verifikohet se kush e ka çuar me makinë në spital të miturin. Grupi hetimor po verifikon se kush janë personat që kanë ndihmuar për të fshehur provat e krimit dhe dërguar në spital. Prokuroria po verifikon dhe veprimet që janë ndërmarrë nga mësuesja, oficerja e sigurisë dhe drejtoresha e shkollës në lidhje me këtë rast. Nëse është ndjekur rruga siç duhet nga shkolla, mësuesja kujdestare, oficerja dhe drejtoria e Shkollës. A janë respektuar rregullat për këtë rast.

Rëndohet akuza penale

Ndryshe nga referimi policisë për ngjarjen ku e akuzoi të miturin për vrasje me dashje organi i akuzës e ka riklasifikuar krimin, duke kërkuar në gjykatë masën “arrest me burg për akuzën e "vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit ", si edhe "mbajtje pa leje të armëve të ftohta".
Për këtë akuzë Kodi Penal parashikon minimalisht 20 vite burg deri në dënim maksimal burgim të përjetshëm. Por në raste kur autorët janë të mitur parashikohet përgjysmimi i dënimit, ndërsa përjashtohen nga burgu i përjetshëm. Pra minimumi i dënimit për autorin është 10 vite burgim. Hetimet po kryhen nga seksioni I të miturve I prokurorisë së Tiranës. I mituri nuk dihet sa do të qëndrojë në spital privat ku vijon të marrë mjekimin. Ndërkohë në spital kanë qenë dhe familjarë të tij. Si dhe seanca gjyqësore e vlerësimit të masës së sigurisë është marrë në prani të një psikologu.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën e 18 nëntorit 2024 në pranë shkollës 9-vjeçare 'Fan Noli' ku viktima dhe autori janë nxënës dhe sherri dyshohet se nisi për një sharje banale mes tyre./shqiptarja.com