Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Zv.sekretari i NATO: KFOR gati të ndërhyjë nëse rrezikohet situata në veri të Kosovës

Zv.sekretari i NATO: KFOR gati të ndërhyjë nëse rrezikohet

Zëvendëssekretari gjeneral i NATO-s, Mircea Geoana, ka biseduar me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ku serbët vendosën që të largohen nga institucionet e vendit.

Geoana përmes një reagimi në Twitter, u ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen dhe të parandalojnë eskalimin e situatës.

Po ashtu, ai ka konfirmuar se KFOR-i qëndron në gjendje gatishmërie dhe do të ndërhyjë, nëse rrezikohet situata.

“Bisedova me Përfaqësuesin Special, Mirsolav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina duhet të përmbahen dhe të parandalojnë eskalimin. NATO- KFOR qëndron vigjilent dhe është gati të ndërhyjë nëse rrezikohet situata”, ka thënë ai.

Reagon edhe qeveria italiane

Italia është e para që ka reaguar nga partnerët ndërkombëtarë, në lidhje me tensionimin e situatës në veri të vendit, ku u shpreh e brengosur për këto zhvillime.

Zëvendëskryeministri Antonio Tajani përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se u kanë kërkuar ambasadorëve në Prishtinë e Beograd që të bëjnë thirrje për moderim të situatës.

Në fund, ai tha se Italia është e angazhuar për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

“Jemi të brengosur për tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës. U kam kërkuar ambasadorëve tonë në Beograd dhe Prishtinë që të bëjnë thirrje për moderim të situatës dhe për dialog deri sa të ketë një kompromis të duhur. Italia është e angazhduar për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar zëvendëskryeministri italian.

Reagimi i kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në të dyja gjuhët, shqip dhe serbisht, duke u kërkuar serbëve që të ruajnë qetësinë dhe paqën, si dhe të mos i braktisin institucionet.

“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik.”, shkroi Kurti.

Ndërkohë, më vonë erdhi edhe reagimi i presidentes Vjosa Osmani, e cila deklaroi se tërheqja e ministrave, deputetëve dhe pjesëtarëve nga komuniteti serb, është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit.

“Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë presidentja e vendit.

Mes tjerash, Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe se do të kujdesen që secili qytetarë të marrë shërbimet e nevojshme pa ndonjë ndërprerje.

“Komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje”, thuhet në njoftimin e publikuar nga presidenca.

Çfare ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij./nacionale.com