Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

VV-ja fiton zgjedhjet në Kosovë

VV-ja fiton zgjedhjet në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me mbi 40 për qind të votave, sipas rezultateve të publikuara nga partitë politike, Demokracia në Veprim dhe një projeksioni i publikuar nga “KOHA”. E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 20 për qind, pasuar nga LDK-ja me 18 për qind e AAK-Nisma 7.6 për qind. Pragun prej pesë për qind nuk e kaloi Lista për Familjen që arriti të marrë vetëm rreth 2 për qind.

Ditës së zgjedhjeve e cila kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, i la hije të keqe në mbrëmje Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike.

Edhe pse me Ligjin e ri për zgjedhjet ishte thënë se rezultatet preliminare të partive do të publikohen në afat rekord, kjo nuk ndodhi.

Për më shumë se tri orë, platforma online e KQZ-së ishte jashtë funksionit.

Fillimisht u paraqitën si të numëruara më shumë se 23 për qind të votave, e më pas edhe mbi 50 për qind, por që ka pasur mospërputhje të votave të përgjithshme të paraqitura, me ato nëpër komuna të caktuara.

Shifrat fillestare të publikuara nga KQZ-ja në platformën online nxitën reagime të mëdha pasi e nxorën fituese Vetëvendosjen me mbi 55 për qind. Më pas zyrtarë të KQZ-së njoftuan se po përballen me probleme teknike, ku për shkak të interesimit të madh faqja ka pasur mbingarkesë në sistem.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencë për media para mesnatës tha se për dështimin e sistemit do ta bëjnë një analizë më vonë.

Sipas tij, të dhënat preliminare për zgjedhjet parlamentare do të mblidhen manualisht për shkak se platforma nuk po funksionon.

Ai ka garantuar se nuk do të ketë ndikim në rezultate. Ndërsa pasi të grumbullohen në mënyrë manuale, tha se të dhënat do të futen në internet. Por nuk ka dhënë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo.

“Gjithçka ishte gati t’i transmetojmë rezultatet preliminare edhe në të kaluarën, aplikacioni nuk ka funksionuar, nuk po arrijmë t’i transmetojmë të dhënat përmes platformës. U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në orën 3 apo 4 të mëngjesit”, ka thënë Radoniqi.

Ai nuk e mohoi as pohoi nëse prokuroria ka shkuar në KQZ për t’i hetuar problemet me sistemin.

“Prokurorët kanë qenë gjatë tërë ditës në KQZ. Ishte e papritur edhe për ne dështimi i sistemit. Dua t’i sigurojë të gjithë se integriteti i votës është i sigurt dhe formularët janë plotësuar nga numërimi i votave”, ka thënë Radoniqi. “Formularët do të dërgohen te ne nga zyrtarët”, ka shtuar ai.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online, presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor.

“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një deklaratë të presidentes në faqen e Presidencës në Facebook.

Deklarata vazhdon duke thënë se presidentja do të jetë në kontakt me institucionet deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar./Koha Ditore