Vetëvendosja kryeson votat/ Kurti: Fitorja madhështore, mundësia për ndryshim!
Dritare.net
97.49% e votave në Kosovë janë numëruar dhe deri më tani kryeson Vetëvendosja me 48.17%. E dyta në listë është PDK me 17.32% të votave dhe e treta vjen LDK me 13.18% të votave. Në mesnatë lideri i VV-së, Albin Kurti, foli para mediave dhe tha se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin një referendum. Kjo fitore tha Kurti, është mundësia për ndryshim.
“Qytetarët morën pjesë masivisht në zgjedhje dhe u vërtetua se ato ishin referendum. Ky referendum për drejtësi dhe punë u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar sot. Të gjithë ata që mundësuan që të kemi një proces të rregullt e drejt zgjedhor. Dua të falënderoj mërgatën tonë, për qindra eurot e shpenzuara për postë, e për mijëra kilometrat e kaluara vetëm për ta sjellë votën e tyre. Ju i keni dhënë kurajo dhe shpresë një kombi të tërë. E falënderoj presidenten dhe kolegen time për përkushtimin dhe angazhimin e saj. Dua të falënderoj policët që kanë qëndruar në secilin vendvotim. Mediat dhe të gjithë gazetarët që kanë informuar publikun drejtë dhe paanshëm. Dhe nuk kam se si t’i harrojë ata që i dua më së shumti, aktivistët. Falënderoj dhe oponentët politikë për një garë pa incidente, dhe i uroj për reforma. Kjo fitore madhështore është mundësia që ne ta fillojmë ndryshimin. Rruga përpara është e gjatë, do të kemi pengesa dhe do të bëjmë ndonjë gabim, mirëpo qëllimin e kemi të mirë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj kujtdo. Kjo fitore është e juaja, prandaj edhe ndryshimi na takon secilit prej nesh. Pa inate, pa ryshfet, pa korrupsion, do ta zhvillojmë dhe demokratizojmë vendin tonë”, tha Kurti./L.F-dritare.net