
Tensionet në veri/ Qeveria e Kosovës shtyn për një muaj vendimin për reciprocitetin!
Dritare.net
Qeveria e Kosovës ka vendosur pak para mesnatës së të dielës të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Vendimi u publikua pak kohë pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe.
“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier, pas një takimi që pasoi shtimin e tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.
Qeveria e Kosovës përmes një deklarate për mediat pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje.
"Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin", thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës./Xh.Xh/dritare.net

















