Tensionet në Veri, KFOR paralajmëron për ndërhyrje!
Dritare.net
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri të mërkurën se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Në një komunikatë për media, KFOR-i tha se trupat e saj patrulluan gjatë një proteste të mërkurën paradite në afërsi të urës mbi lumin Ibër në pjesën e Mitrovicës së Veriut.
“Trupat e KFOR-it ishin në vendin e ngjarjes dhe kryen patrullime në zonat përreth, për të garantuar një mjedis të sigurt. Demonstrata përfundoi pa ndonjë shqetësim për sigurinë”, thuhet në njoftim.
Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës mbi Ibër, pas paralajmërimit të autoriteteve kosovare se do ta bëjnë një gjë të tillë. Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.
Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”./ rel