Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Tensione në veri! Kosova thirrje qytetarëve: Shmangni pikat kufitare me Serbinë!

Tensione në veri! Kosova thirrje qytetarëve: Shmangni pikat kufitare

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe qytetarëve që jetojnë jashtë t'i shmangin pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre tranzit. Kjo thirrje nga MPJD, u bë të mërkurën vonë pas paralajmërimeve nga "Këshilli Organizativ për Bllokada” në Serbi, që bëri të ditur se më 6 Shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.

"MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në njoftim.

Paralajmërohen veprime radikale

Një ditë më parë edhe në protestën e ish-punonjësve të institucioneve paralele serbe në komunat në veri të Kosovës, serbët protestues paralajmëruan veprime radikale deri në bllokim të kufijve. Qeveria e Kosovës në fund të javës së shkuar mbylli pesë institucione paralele serbe në Kosovë, nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara. Ajo mbylli institucionin paralele serb të komunës se Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunën paralele të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, Zubin-Potokut dhe të Leposaviqit. Në disa nga këto objekte, autoritetet e Kosovës vendosën pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Ka pasur disa hapa të tjerë para mbylljes së institucioneve paralele nga qeveria e Kosovës: ndalimi i dinarit serb për pagesa, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë. Policia e Kosovës konfirmoi se të mërkurën u ka dërguar fletëthirrjet për paraqitje në Prokurori pesë personave që dyshohet se kanë qenë udhëheqës të institucioneve paralele dhe dyshohen për falsifikim të dokumenteve.

Serbia: Dëshmi e përndjekjes brutale politike

Kreu i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se "fletëthirrjet u janë drejtuar udhëheqësve të Listës Serbe" dhe sipas tij, ato "janë dëshmi e përndjekjes brutale politike që do të ketë pasoja të gjera”. "Udhëheqësit e institucioneve serbe nuk kanë falsifikuar asgjë dhe kanë bërë gjithçka ekskluzivisht në përputhje me ligjin, duke ofruar shërbime edhe për serbët edhe për shqiptarët. Nëse kryeministri Albin Kurti do të kishte formuar Asociacionin e Komunave serbe, sot nuk do të ishim në këtë gjendje”, shkroi në profilin e tij Petkoviq.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nga ana e tij, tha se "dy nga institucionet më të rëndësishme të Serbisë në Kosovë, shëndetësia dhe arsimi janë duke funksionuar”, ndërsa shtoi se siç thotë "nuk e vë në dyshim se autoritetet në Prishtinë do të provojnë t'i rrënojnë të gjitha”. Presidenti serb tha se është i gatshëm që të vizitojë Mitrovicën e Veriut nëse një gjë të tillë i lejohet nga forcat ndërkombëtare dhe autoritetet në Kosovë.

Kritika nga BE dhe SHBA

Mbyllja e komunave paralele të Serbisë nga qeveria e Kosovës u kritikua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Hapat e qeverisë së Kosovës cilësohen të pakoordinuara me autoritetet ndërkombëtare dhe rrezikojnë rritjen e tensioneve. BE e SHBA kërkojnë nga Kosova që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Qëndrimi i qeverisë së Kosovës është i ndryshëm. Ajo thotë, se vetëm po përpiqet të vendosë rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke e pamundësuar funksionimin e institucioneve paralele të Serbisë. Forca të shtuara të misionit paqeruajtës KFOR, u panë edhe të mërkurën mbi urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. KFOR-i tha se prania e shtuar e këtyre trupave është "një trajnim periodik në vazhdim, për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale"./dw