Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Tensione mes Greqisë dhe Turqisë/ Erdogan: Mund të zbresim papritur një natë

Tensione mes Greqisë dhe Turqisë/ Erdogan: Mund të zbresim

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ashpërsoi gjuhën kundër Greqisë, duke kërcënuar se do të “zbriste papritur një natë”.

Erdogan e ka përdorur më parë këtë frazë dukë lënë të kuptohet operacione ushtarake të afërta në Siri dhe Irak kundër militantëve kurdë që Turqia i konsideron kërcënime ekzistenciale.

Duke folur në një ngjarje në Samsun, ku Turqia shfaqi prototipin e një avioni luftarak pa pilot, Erdogan sulmoi Greqinë fqinje mes tensioneve politike dhe ushtarake.

Turqia ka akuzuar Greqinë për përdorimin e sistemeve raketore S-300 të prodhuara nga Rusia në Kretë, për të bllokuar avionët turq në gusht. Ankaraja ka thënë gjithashtu se F-16-të grekë sulmuan avionët turq duke i vendosur ata nën një bllokim radar gjatë një misioni të NATO-s mbi Mesdheun lindor. Turqia po paraqet ankesat e saj në NATO. Athina ka akuzuar gjithashtu Turqinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore.

Të dy anëtarët e NATO-s, Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje dekadash mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë pretendimet territoriale në Detin Egje dhe mosmarrëveshjet mbi hapësirën ajrore atje. Fërkimi i ka sjellë ata në prag të luftës tre herë në gjysmëshekullin e fundit.

Turqia pretendon se Greqia po shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke militarizuar ishujt në detin Egje.

“Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Siç themi, mund të zbresim papritur një natë. Shikoni historinë, nëse shkoni më tej, çmimi do të jetë i rëndë.

Ne kemi një fjali për Greqinë: Mos harroni Izmirin”, tha Erdogan, duke iu referuar një disfate dërrmuese të forcave pushtuese greke në qytetin perëndimor nga ushtria turke në vitin 1922.

Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis zhvilluan bisedime të rralla gjatë drekës në Stamboll në mars, por kjo prirje pozitive u zvogëlua menjëherë më pas. Në maj, Erdogan tha se nuk do të fliste më me Mitsotakis pasi kryeministri grek vizitoi Uashingtonin, ku ai bëri presion për të blerë avionë luftarakë F-35, ndërsa lobonte kundër përpjekjeve të Turqisë për të përmirësuar flotën e saj F-16.

Erdogan tha në korrik se Turqia nuk kishte interes për luftë me Greqinë, por tha se vendi duhet të ndalojë shkeljen e hapësirës ajrore turke. AP/L.F-dritare.net