Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Të shtëna me armë në veri të Kosovës, lëshohet alarmi!

Të shtëna me armë në veri të Kosovës,

Policia e Kosovës është përleshur me qytetarët serbë që janë mbledhur para ndërtesës së Komunës së Zveçanit. Nga pamjet që janë transmetuar live nga qytetarët shihet se është hedhur gaz si dhe dëgjohen krisma armësh. Policia ka njoftuar se ka qenë duke i asistuar kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin-Potokut të hyjnë në objektet e ndërtesave komunale. Pas të shtënave para komunës së Zveçanit, serbët e tubuar janë dëgjuar duke thirrur “ubij”, që në shqip do të thotë “vrite”.

Sirena të alarmit janë lëshuar në katër komunat në veri të Kosovës. Qytetarë serbë janë mbledhur para ndërtesave komunale në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesa.

Kryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se sirenat e alarmit “janë lëshuar nga strukturat paralele”, ndërsa si shkak për to ka thënë se “mund të jetë mitingu që do ta mbajë Aleksandër Vuçiqi në Serbi”.

Ugljanin i tha KOHËS se në komunat tjera, Zubin-Potok, Zveçan e Leposaviq, janë tubuar njerëz.

Ndërkohë, në Leposaviq janë vendosur dy kamionë para Komunës.

KOHA ka provuar disa herë të kontaktojë zyrtarë nga Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës por ata nuk janë përgjigjur.

Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut - që të gjithë shqiptarë - bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./Koha.net