Të ikur nga mobilizimi e persekutimi rus, çeçenët arrijnë në kufirin mes Bosnjës e Kroacisë!
Dritare.net
Është ora 8:00 e mëngjesit. Temperatura është pak mbi zero gradë celsius. Nëpër mjegull duken rreth 15 persona, shtetas rusë nga Kaukazi i Veriut mes të cilëve ka edhe fëmijë e të moshuar. Vend i tubimit të tyre është një kafene në Gradishkë, pranë pikës kufitare nga Bosnje e Hercegovina në Kroaci, që i bie veriu i largët i Bosnje e Hercegovinës.
Ata presin për një kohë të shkurtër dhe më pas përqafohen. Njëri prej të rinjve çeçenë niset drejt Kroacisë, për të kaluar në Bashkimin Evropian. Të tjerët e shikojnë me shpresën se do të lejohet të kalojë. Por, ai kthehet dhe grupi pret që dikush tjetër të provojë sërish. Njëri thotë se ka ikur nga Rusia, për shkak të mobilizimit të detyruar ushtarak për luftën në Ukrainë. Të tjerë kanë ikur nga persekutimi politik, për arsye fetare apo shëndetësore. Disa edhe për të ndihmuar familjen. Në mesin e qytetarëve rusë që ekipi i REL-it i takoi pranë pikës kufitare në Gradishkë, më së shumti ka çeçenë. Ata thonë se mblidhen aty çdo mëngjes, në përpjekje për të kaluar kufirin midis Bosnjës dhe Kroacisë dhe për të kaluar azil në ndonjërin nga vendet e BE-së.
Magomed ishte i vetmi çeçen që pranoi të fliste me gazetarët e REL-it. Ai këmbëngul që të mos fotografohet askush, e nëse po, të turbullohen fytyrat e personazheve, nga frika e hakmarrjes ndaj tyre dhe familjeve të tyre në Rusi. Thotë se në grupin e tij, rreth 80 për qind janë çeçenë, por se ata vijnë edhe nga republika të tjera ruse, si Ingushetia dhe Karaçajevo-Çerkesia, ndërsa disa janë edhe nga Tatarstani. Sipas llogaritjeve të tij, rreth 170 njerëz nga Kaukazi i Veriut presin ta kalojnë kufirin në veriperëndim të Bosnjës. Putin urdhëron dërgimin e thirrjeve për rekrutim edhe në formë elektronike
Ikim nga “persekutimi i autoriteteve”
Magomed thotë se të gjithë ikin nga “persekutimi i autoriteteve”, kryesisht për arsye politike dhe fetare, ose nga mobilizimi për shkak të luftës në Ukrainë.
“Aktualisht, po bëhet mobilizim, mobilizim i detyruar. Thjesht, njerëzit blihen - deshe ti a po nuk deshe. I blejnë njerëzit dhe i dërgojnë me forcë”, thotë ai. Për të riun çeçen që u përpoq ta kalonte kufirin atë mëngjes, por pa sukses, Magomed thotë se ishte në burg në Çeçeni, ku u mbijetoi rrahjeve dhe llojeve të tjera të abuzimit, për shkak të pikëpamjeve të tij politike.
Ai qëndroi pranë Magomedit ndërsa ai fliste për të, por vetë nuk donte të fliste, përveçse tundte kokën në shenjë miratimi. Magomed thotë se të gjithë në Gradishkë kanë frikë nga paditë e mundshme kundër tyre në Rusi. Sipas tij, refugjatët nga Kaukazi i Veriut “jetojnë kudo me frikë”.
Shton se Rusia është duke i ndalur të gjitha proceset për marrjen e vizave, ndaj njerëzit përpiqen të arrijnë në BE përmes Bosnje e Hercegovinës, e cila ka ende në fuqi regjimin pa viza me Rusinë.
Nga të grumbulluarit aty, thotë se disa kanë punë, por shumica jo.
“Edhe nëse keni punë, paga për mundin që bëhet, është minimale. Shumica e njerëzve nuk shkojnë, për shkak të pagës”, thotë Magomed.
Ai tregon se edhe shëndetësia është në gjendje të keqe dhe drejton gishtin kah një i ri që ishte në karrocë, për shkak të, siç thotë, gabimit të mjekëve. I riu në karrocë nuk pranoi të fliste. Magomed thotë se të gjithë ata që janë atje, po përcjellin rastin e Selima Khadisovës, një grua çeçene, e cila është në paraburgim në qytetin e Tuzllës në Bosnje, duke pritur vendimin e autoriteteve për ta ekstraduar në Rusi ose për t’i dhënë azil. Khadisova u arrestua në bazë të një urdhërarrestimi të INTERPOL-it, pasi ajo dhe tre fëmijët e saj fluturuan me avion nga Turqia në Sarajevë, në fund të shtatorit. Rusia e akuzon atë për terrorizëm.
Ajo i mohon akuzat dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, e ndarë nga fëmijët e saj.
“Kroacia nuk shpjegon asgjë”
Magomed është një nga disa dhjetëra shtetas rusë që qëndrojnë pranë kufirit çdo mëngjes nga ora gjashtë, duke pritur që të thirren.
Pasi kalojnë kontrollin e pasaportave në anën e Bosnjës, kalojnë tek ana kroate. Çdo ditë kalojnë afërsisht nga dhjetë. Nganjëherë, sikurse më 7 nëntor kur ekipi i REL-it ishte i pranishëm, kthehen mbrapa të gjithë.
“Kufitarët nuk na shpjegojnë asgjë, ndaj duhet të vijmë herët. Këtu ka shumë gra me fëmijë, me pesë-gjashtë fëmijë, asnjë burrë. Edhe ata vijnë këtu dhe presin kur mund të kalojnë, sepse nuk i lënë të kalojnë. Një ditë i lejojnë, të nesërmen i ndalojnë”, thotë Magomed.
Ai thotë se, më herët, linin nga 20-30 persona në të njëjtën kohë, por se, së voni, numri është kufizuar në dhjetë. Shton se nuk marrin asnjë shpjegim nga Policia Kufitare e Kroacisë.Kërkesës së REL-it për koment nuk iu përgjigj as Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë.
“Disa njerëz janë këtu që dy javë”, thotë Magomed.
Ai shton se asnjëri prej tyre nuk qëndron në Kroaci, sepse atje njerëzit “i shikojnë me mosbesim”, dhe se synimet e tyre janë Franca, Gjermania, Belgjika dhe Holanda.
“Në ato vende, e dimë se do të kemi mbrojtje”, shprehet ai.
Njerëz të mirë dhe çmime të larta në Bosnje e Hercegovinë
Magomed thotë se në Bosnje, përveç çmimeve shumë të larta për xhepat e tyre, nuk kanë probleme. As me banorët vendas, as me policinë.
“Sipas të gjithë njerëzve tanë që janë këtu, në Bosnje, raportet janë të shkëlqyera. Njerëzit na trajtojnë mirë. Janë të këndshëm, na buzëqeshin, si në restorante, në taksi...”, tregon Magomed.
Disa jetojnë në bujtina, ndërsa të tjerët marrin me qira apartamente ose shtëpi, thotë ai. Megjithatë, financat mbeten problem.
“Është e vështirë, sidomos për gratë që janë këtu me fëmijë. Djemtë e rinj dhe të rriturit ia dalin disi. Por, nuk mund t’i shpjegosh një fëmije dhe një gruaje këtu se nuk do të mund të hanë dot, se është shtrenjtë në dyqan, se duhet të qëndrojmë ende këtu, se kufiri sot është i mbyllur, se sot është një lloj feste...”, thotë Magomed.
Çfarë thonë në polici?
Nga Drejtoria e Policisë së Gradishkës thonë se, në dy muajt e fundit, gjithnjë e më shumë shtetas rusë kanë filluar të shfaqen pranë kufirit dhe se “të gjithë kanë pasaporta të vlefshme, kanë hyrë legalisht në vend dhe u lejohet qëndrimi”.
Ata thonë se me marrëveshjen mes Bosnjës dhe Rusisë u lejohet qëndrimi pa viza për një periudhë deri në 30 ditë - pas së cilës ata nuk mund të jenë më në këtë vend dhe policia i kontrollon më shpesh. Në këtë qytet në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës, policia sqaron se të huajt kanë kryer disa vjedhje gjatë këtij viti, ndërsa një prej tyre është arrestuar me urdhër të INTERPOL-it dhe i është dorëzuar Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës.
Sipas policisë, liria e lëvizjes mund të kufizohet nëse është në interes të sigurisë publike.
Edhe më herët prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022 - në Bosnje e Hercegovinë kanë arritur çeçenë. Çeçenët, qytetarë rusë, thonë se po ikin nga mobilizimi i detyrueshëm dhe persekutimi politik, Gradishkë, 8 nëntor 2024.
Disa prej tyre kërkohen përmes urdhërarrestimeve nga Rusia, si Selima Khadisova, ndërsa REL-i ka regjistruar edhe rastin e një tridhjetepesëvjeçari banor i Groznit i cili ka kërkuar mbrojtje në Bosnje që nga tetori, për shkak të persekutimit politik në Rusi. Për të hyrë në Bosnje e Hercegovinë, qytetarët rusë nuk kanë nevojë për viza, duke qenë se Bosnje e Hercegovina zbaton një regjim pa viza me Rusinë, në bazë të një marrëveshjeje të arritur qysh në vitin 2013. Për shkak të pushtimit të Ukrainës, Bashkimi Evropian ka rikthyer vizat për rusët në shtator të vitit 2022.
Nga viti 2007 deri në atë kohë, ata e kanë pasur të lehtësuar hyrjen në BE. BE-ja ka kërkuar disa herë nga autoritetet e Bosnjës që ta harmonizojnë politikën e tyre me politikën e vizave të BE-së. Megjithatë, regjimi pa viza me Rusinë mbetet në fuqi, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve të Republikës Sërpska të Bosnjës, të udhëhequr nga lideri prorus, Millorad Dodik./rel