
Takimi i fundit me Vuçiç/ Albin Kurti thërret në takime opozitën. Ja si i përgjigjen!
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar liderët e opozitës Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj, që të takohen të martën, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
PDK-ja e ka refuzuar ftesën, ndërsa LDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë pranuar.
“Nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjëgjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë,” – shkroi Memli Krasniqi.
“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë,” – shkroi Lumir Abdixhiku në faqen e tij në Facebook.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar ftesën për takim të kryeministrit Albin Kurti. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se do të bisedojë me Kurtin, në lidhje me takimet që ky i fundit zhvilloi në Bruksel.
“Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, shkruan Haradinaj në Facebook./M/K/dritare.net

















