Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Shpallen fajtorë. Gucati e Haradinaj dënohen nga gjykata e Hagës

Shpallen fajtorë. Gucati e Haradinaj dënohen nga gjykata e Hagës

Gjykata Speciale e Hagës ka shpallur fajtorë ish-drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burg. Ata u dënuan për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020. Në dënim do t’u përllogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të zyrtarëve në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes. Trupi gjykues i dënoi të dy edhe me nga 100 euro gjobë.

Trupi gjykues në Gjykatën Speciale ka konstatuar se ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, kanë kryer veprën e zbulimit të informacioneve të mbrojtura, me publikimin e dokumenteve të Speciales.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./L.F-dritare.net