
Shqiptarët e Shkupit, të gjithë në protestë, për rastin "Monstra"!
Dritare.net
Ditën e sotme në kryeqytetin e Maqedoninë së Veriut, është protestuar me moton “Drejtësi për Liri” kundër vendimit të Gjykatës Penale për rastin “Monstra”. Protestuesit janë penguar forcat policore, për të paraqitur kërkesat e tyre ndaj autoriteteve zyrtare, dhe për pasojë një pjesë e protestuesve ka hedhur mjete të forta drejt pjestarëve të forcave të sigurisë. Kryetari i Këshillit Organizativ të protestave, Bedri Hajdari, ka thënë se policia mund të bllokojë rrugën, por jo edhe realizimin e drejtësisë ndaj dhe ka kërkuar nga protestuesit të tregohen me gjakftohtësi. “Kjo nuk është protestë ilegale. Këtu nuk ka njerëz kriminel, njerëz provokues, por njerëz që duan drejtësi”, ka deklaruar ai. Hajdari ka shtuar se nuk do të ndalen protestat, për të cilat në opinion ekzistojnë dyshime se janë të montuara siç është rasti “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë pranë liqenit të Smillkovës, në afërsi të Shkupit. “Kërkojmë të shkarkohet prokurorja dhe gjykatësit e rastit ‘Monstra’, sepse ata fare nuk u morën me faktet dhe provat që duhej të vinin nga bisedat e përgjuara të lidhura me këtë rast. Kërkojmë që kuvendi dhe qeveria t’i publikojnë bisedat e përgjuara me qëllim, që gjykimin e së vërtetës për këtë rast ta bëjë vetë opinioni publik, qoftë ai shqiptar, maqedonas apo cilido qoftë tjetër”, ka shtuar ai.Të martën e shkuar, Gjykata Penale e Shkupit, ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq, të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill 2012 pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Viktima ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër 44 vjeç. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe 9 vjet burg, ndërsa Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave. Ndaj vendimit të gjykatës penale për rastin “Monstra” kanë reaguar partitë politike shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me ç’rast kanë kërkuar përfshirjen e faktorit ndërkombëtar./M.M-dritare.net

















