
Sektori publik në grevë, Kurti: Nuk është koha e kërcënimeve, por e punës!
Dritare.net
Nga sot në Kosovë nis greva e përgjithshme e sektorit publik. Nga sot është paralajmëruar hyrja në grevë e çerdheve publike, ndërsa mësuesit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale.
Kryetari i këshillit grevist të BSPK-së, Rrahman Jashari ka paralajmëruar se deri në realizimin e kërkesave të tyre, në grevë do të përfshihet i gjithë sistemi arsimor.
Ai thekson se nuk dihet se kur do të përfundojë greva, ndërsa përsëriti kushtet për plotësimin e kërkesave. Ndër to përfshihet rritja e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Në një përgjigje për këtë grevë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kjo nuk është koha për greva por për punë.
“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse… Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re, duhet të ketë emancipim të ndërsjellë, ne jemi për dialog social pa kërcënime, pa ultimatum. Duam që të vazhdojë dialogu social, mirëpo nuk mendojmë që është koha e grevave dhe bojkoteve”,është shprehur Kurti./L.F-dritare.net

















