Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Restaurohet shtëpia e Xhafer Devës. Polemika Prishtinë-Tiranë për figurën e tij!

Restaurohet shtëpia e Xhafer Devës. Polemika

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ish-Ambulanta e vjetër në Mitrovicë, e njohur edhe si ish-shtëpia e Xhafer Devës, përbën një shembull të rëndësishëm të arkitekturës publike të viteve 1930. Sipas Kurtit, pas ndërhyrjeve restauruese, ndërtesa është shpëtuar nga rreziku i shkatërrimit dhe tashmë është e gatshme për rifunksionalizim në shërbim publik të komunitetit, duke theksuar aspektin e trashëgimisë kulturore dhe jo figurën historike të pronarit të saj.

View this post on Instagram

A post shared by Albin Kurti (@albinkurti_)

Ndërkohë, emisioni “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV i ka kushtuar një debat të gjerë këtij projekti, duke nxjerrë në pah ndarjen e thellë të narrativave historike mes Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me figurën e Xhafer Devës.

Historiani Marenglen Kasmi, i ftuar në studio, e paraqiti Devën si bashkëpunëtor të nazizmit, duke u mbështetur në dokumente arkivore gjermane dhe amerikane. Ai theksoi rolin e Devës si ministër i Brendshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e lidhi atë me Masakrën e 4 Shkurtit në Tiranë, si dhe me bashkëpunimin me gjermanët dhe çetnikët serbë në fund të luftës.

Në anën tjetër, gazetariNexhmedin Spahiu, nga Kosova, e mbrojti figurën e Devës duke e cilësuar atë si patriot dhe mbrojtës të shqiptarëve nga rreziku serb, duke argumentuar se bashkëpunimi me gjermanët ishte një kompromis i detyruar për mbijetesë kombëtare. Spahiu hodhi poshtë përgjegjësinë e Devës për Masakrën e 4 Shkurtit, duke e quajtur atë një produkt të propagandës komuniste, çka shkaktoi reagime të forta në studio.

Në debat u përfshi edhe Rezarta Vitaku, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, e cila theksoi se restaurimi ka karakter thjesht arkitektonik dhe kulturor, duke e konsideruar godinën si simbol të kalimit nga stili oriental në atë perëndimor evropian./L.F-dritare.net