Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Policia gjen armatim dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës

Policia gjen armatim dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës

Policia e Kosovës tha se ka gjetur armatim, uniforma dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë një aksioni në një fshat të Komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit, Policia ishte duke kërkuar një të dyshuar, të identifikuar me iniciale S.M, që po kërkohet lidhur me një laborator droge të gjetur në fshatin Qukiq disa vjet më parë, kur në lokacionin ku dyshohej se gjendej ai, u gjet armatim.

“I dyshuari nuk është gjetur në lokacionin ku dyshohej se mund të jetë, mirëpo në pronën e tij gjegjësisht në mal në një vend të mbuluara me dhe janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake”, u tha në njoftim.
Policia tha se gjatë kontrollit edhe në tri vende të tjera janë gjetur të groposura edhe pajisje të tjera ushtarake.

Policia tha se gjeti uniforma ushtarake, pjesë të pushkëve të gjata, jelekë taktikë, gazmaska, një tytë të pistoletës, një palë pranga dhe 1.471 të kalibrave të ndryshëm.

Ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla, tha se armët që po gjenden në veri "nuk janë thjesht mbetje e bandave kriminale e terroriste, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta".

"Si Qeveri e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë", shkroi ai në Facebook.
Një ditë më herët, Policia e Kosovës po ashtu njoftoi se gjeti një sasi të konsiderueshme të armatimit gjatë kontrolleve në Zveçan.

Policia tha se ky rast ka të bëjë me një person me interes, që dyshohet të jetë i lidhur me rastin Banjska.

Në shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Që nga sulmi në Banjskë, Policia ka njoftuar disa herë për gjetjen e armatimit dhe uniformave ushtarake në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Po ashtu, në veri të Kosovë viteve të fundit autoritetet kanë njoftuar për gjetjen dhe shkatërrimin e disa laboratorëve të drogës./REL