
Osmani për rastin e 11-vjeçares: Kërkojmë hetim rigoroz për fajtorët!
Dritare.net
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e tronditur lidhur me dhunimin seksual ndaj të miturës 11-vjeçare në Prishtinë.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryerësit e veprës.
Presidentja Osmani ka theksuar se dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë.
“Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani. Kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha po ashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve. Për fat të keq, për vite me rradhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”., shkruan ajo./M.K/dritare.net

















