Opozitari serb: Vuçiç, autor i dhunës barbare. Familja ime në rrezik!
Dritare.net
Opozitari serb Nikola Sanduloviq në një deklaratë për mediat ka akuzuar presidentin Aleksandër Vuçiç lidhur me rrahjen barbare që iu bë, pas homazheve në varret e të vrarëve nga Beogradi në luftën e Kosovës.
Politikani ka theksuar se jeta e tij dhe familjes është në rrezik dhe se kanë marrë kërcënime të vazhdueshëm, për dhunim, djegie të banesës etj.
“Sinqerisht t'ju them, nuk jam mirë, ndiej dhembje në anën e majtë nga një brinjë e thyer që ende nuk është shëruar dhe fatkeqësisht ende nuk mund ta lëviz as dorën e as këmbën e djathtë. Më shumë jam i brengosur se si do të vazhdojë kjo punë më tutje, se për atë që kam përjetuar. Të jem i sinqertë, nuk ndiej kurrfarë sigurie dhe, siç e shihni, vetë situata për mua dhe familjen time është ende e ndërlikuar. Vajza ime është e ekspozuar ndaj sulmeve, kërcënimeve dhe mesazheve të ndryshme, të cilat kanë filluar në rrjete të shumta dhe me publikimin e fotografive të saj. Pra, situata është vetëm vazhdimësi e asaj që keni dëgjuar nga historitë e mia dhe ndodhive mes meje dhe Aleksandar Vuçiqit. Gjithçka ende po vazhdon. Por tani presioni është edhe më i madh dhe kërcënimet janë të dukshme dhe të hapura, siç janë kërcënimet me jetë, dhunime e djegie të shtëpisë.
Dëshmi e kësaj është edhe deklarata e djeshme e Aleksandar Vuçiqit, i cili në konstatimin e kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit, që policia sekrete më ka rrëmbyer dhe më ka rrahur deri në atë masë, saqë kam mbetur i paralizuar, theksoi se unë jam personalitet i panjohur. Mua më njohin me mijëra njerëz në Serbi, e mos të them miliona njerëz të tjerë nga e mbarë bota, ndërsa Vuçiqi thotë që jam personalitet i panjohur, i cili ka marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk i ka fituar as 0,1% të votave. Kjo është një gënjeshtër e madhe sepse ai në përgjithësi po përpiqet të shtrembërojë historinë dhe unë jam i bindur nga përgjigjja dhe mohimi i ngjarjes nga ana e tij që, ai është njeriu i cili ka qëndruar prapa kësaj ngjarjeje dhe gjithë kësaj historie të tmerrshme, torturave dhe rrahjeve dhe lirisht mund të them tentim-vrasjes”, ka deklaruar politikani për RTK./M.K-dritare.net