Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Nishori, burri i parë që bën publik dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë

Nishori, burri i parë që bën publik dhunën seksuale

Ramadan Nishori ka rrëfyer publikisht përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 21-vjeçar, në stacionin policor në Drenas.

“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai, në shënimin e Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës.

"Kanë ardhur dy policë me uniforma dhe më kanë futur në një banjo, dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Sepse atë kurrë nuk e kisha menduar se do të më ndodhte mua. Dhe njëri më dhunoi, ndërsa, derisa po përgatitej i dyti për dhunë, nga bërtimat e mia, një shqiptar që ishte aty hyri brenda dhe më nxori prej aty", ka rrëfyer ai.

Nishori ka theksuar se dhunuesit e kanë kërcënuar, duke i thënë që askush nuk bën ta dijë se çfarë i kishte ndodhur.

Ai është burgosur dhe është liruar tek në mars të vitit 2001 me ndihmën e Kryqit të Kuq.

“Jetoja me prindërit dhe vëllezërit në fshat. Pasi u martova i thash vetes: do ta lë të kaluarën dhe ta lë prapa. Kjo ishte e pamundur... Isha në frikë se mos po e vëren dikush rastin çka më ka ndodhë. Thosha me vete unë jam burrë dhe për këtë që e kam përjetu unë nuk duhet me ditë kërkush. Se thojsha: m'nënçmojnë, m'bullizojnë... M'vike e bërtitë, me kajtë ...”

Nishori ka treguar se në vitin 2005 për herë të parë ishte afruar te zyrat e organizatës Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), por se nuk kishe pasur forcë të hynte brenda.

“Kam shku dhjetëra herë por kurrqysh nuk e mora guximin me hy brenda. Një natë e pashë në një intervistë, ishte Vasfije Krasniqi e cila është heroinë e gjallë ... E kam marrë e i kam shkruar në Messenger menjëherë. Faleminderit shumë prej saj ma ka kthyer përgjigje menjëherë. Të nesërmen pa menduar shumë kam ardhur, u binda me ardhë”, ka treguar ai.

Nishori ka treguar rrëfimin e tij në organizimin e QKRMT-së, duke u bërë burri i parë që del në mënyrë publike me ngjarjen që ia kanë shkaktuar forcat serbe.

“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.

Pasi e bëri publik rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës, ka reaguar e bija e Nishorit, Flutura.

Me anë të një fotografie të publikuar në Facebook bashkë me të, vajza e Nishorit ka shprehur përkrahjen e saj, duke thënë se jetesa dhe shërimi janë më të mëdha sesa pasojat që i sjell lufta.

“Në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka gjetur guximin të flasë. Në një shoqëri ku burrat rrallëherë ndihen të sigurt për të treguar plagët e tyre më të thella, ai theu heshtjen jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. Ky njeri është njeriu më i vlefshëm në jetën time, babi. Historia e babit nuk është e vetmja. Lufta nuk njeh rregulla dhe pasojat gjithmonë janë shumë të mëdha, por jetesa dhe shërimi janë shumë më të mëdha se pasojat! Dita e sotme le të jetë një përkujtim që kemi mbijetuar dhe kurrë nuk jemi vetëm! Babush, drita e syve të mi, faleminderit që kurrë nuk je dorëzuar e ke gjetur forcë me ma mbajt dorën në këtë botë mizore! Jam tepër krenare me ty! Të dua përjetësisht”, ka shkruar ajo./koha.net