Ndahet nga jeta një nga balerinat e para shqiptare!
Dritare.net
Esma Mulla,një nga balerinat e para shqiptare të Baletit të Kosovës, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë me anë të një postimi të publikuar në Facebook. MKRS shkruan se populli shqiptar ka humbur një artiste të madhe që kontribuoi shumë në art e kulturë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës. Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“. Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi. Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik! , njofton Ministria e Kulturës së Kosovës.
E lindur, më 22. 09. 1952, në Pejë, Esma Mulla ishte njëra nga artistet e Dukagjinit që ka krijuar kulturën e hapit skenik të gjinisë femërore. Ajo ishte brezi i artit gjinor, e para e kualifikuar në shkollën e baletit, në Shkup./M.K/dritare.net