
Mbipopullim në burgje/Danimarka merr me qira 300 qeli në Kosovë
Dritare.net
Kosova ka rënë dakord t'i japë Danimarkës 300 qeli burgu me qira, për të lehtësuar mbipopullimin në burgjet e vendit skandinav.
Danimarka do të paguajë një tarifë vjetore prej 15 milionë € (12.8 milion £) për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh. Danimarka gjithashtu do të ndihmojë në financimin e energjisë së gjelbër në Kosovë.
Qelitë e marra me qira kanë për qëllim të strehojnë kriminelë të dënuar nga vendet jo anëtare të BE-së që do të dëbohen nga Danimarka. Në burgje do të zbatohen ligjet daneze, informon dritare.net. Kosova ka rreth 800 hapësira burgjesh të papërdorura.
Në total, Kosova do të marrë një shumë prej 210 milionë euro gjatë 10 viteve të ardhshme për marrjen me qira të burgut në Gjilan, nga viti 2023.
"Marrëveshja do të krijojë hapësirë në burgjet tona dhe do të lehtësojë presionin mbi oficerët tanë të burgjeve në të njëjtën kohë. Po kështu ky është një sinjal i qartë për shtetasit e vendeve të treta të dënuar me dëbim: e ardhmja juaj nuk mund të vazhdojë në Danimarkë dhe ju duhet të mos e kaloni kohën këtu”, tha në një deklaratë ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup, informon dritare.net.
Ata që dërgohen në Kosovë nuk do të jenë të burgosur me rrezikshmëri të lartë, tha Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu. Kushdo që dënohet për vepra terroriste nuk do të dërgohet në Kosovë. Marrëveshja do të duhet të ratifikohet në parlamentin e Kosovës me një shumicë votash prej dy të tretash.
Që nga viti 2015, numri i të burgosurve në Danimarkë është rritur nga 3,400 në 4,200, ndërsa numri i rojeve të burgut ka rënë nga 2,500 në 2,000./BBC/L.F-dritare.net

















