Marrëveshja me Kishën Serbe/Abazoviç përballet sot në Kuvend me votën e mosbesimit!
Dritare.net
Kuvendi i Malit të Zi sot do të votojë mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Dritan Abazoviç. Seanca do të nisë në orën 11:00.
Mocioni u paraqit nga partia e presidentit atje, Milo Gjukanoviq, si dhe është nënshkruar nga 36 deputetë. Megjithatë, për t’u rrëzuar një qeveri, në kuvendin e Malit të Zi nevojiten të paktën 41 vota pro, pra edhe 5 vota më tepër.
Nëse arrihet rrëzimi i qeverisë, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Ndërkaq, në lidhje me shkarkimin e tij të mundshëm, Abazoviq ka deklaruar se nuk ka asgjë kundër.
“Nëse ndokush mendon se ne kemi zbatuar politika të dikuj tjetër, ose për interes të dikuj tjetër, e kanë gabim”, u shpreh kryeministri, derisa shtoi se për “disa njerëz çështja më e rëndësishme në botë u bë Marrëveshja Themeltare”.
“Në 100 ditë, kemi pasur rreth 100 aktivitete ndërkombëtare, jemi takuar me 120 zyrtarë ndërkombëtarë, 40 ambasadorë, nëntë kryeministra, dhjetë presidentë shtetesh, 13 zyrtarë evropianë. Kemi vizituar dhjetë shtete, dhe tre delegacione të niveleve të larta ishin mysafirë tanë”, tha më tej kryeministri në një tjetër deklaratë./Xh.Xh/dritare.net