Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kush është Dritan Abazoviç, kryeministri i parë shqiptar në Malin e Zi!

Kush është Dritan Abazoviç, kryeministri i parë shqiptar

Mali i Zi për herë të parë në histori ka një kryeministër shqiptar. Ai është Dritan Abazoviç.

Lideri i bllokut Bardh e Zi, Dritan Abazoviç, u zgjodh kryeministër i Malit të Zi me 45 vota në dhomën prej 81 vendesh, i mbështetur nga koalicioni i tij, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe ish Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë, (DPS), Partia Socialdemokrate, Partia Boshnjake dhe dy koalicione etnike shqiptare.

Por kush është Dritan Abazoviç?

Kush është Dritan Abazoviç, kryeministri i parë shqiptar

Ai u lind më 14 dhjetor 1985 në Ulqin. Vjen nga familja shqiptare Abazi, prej së cilës ka marrë gjuhën dhe kulturën. Fillimisht u shkollua në Ulqin, më pas kreu studimet për shkenca politike në Sarajevë, studime të cilat i thelloi në Norvegji dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u bë pjesë e shumë programeve të Departamentit të Shtetit.

Pas përmbylljes së studimeve, fillimisht ishte mësues në një gjimnaz të Ulqinit duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë, më pas në vitin 2010 drejtoi për dy vite televizionin Teuta. Në vitin 2010, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Abazoviç, përveç gjuhës shqipe, flet gjuhën serbo-kroate dhe angleze.

Para se të niste ngjitjen në politikë, Abazoviç ishte aktivist në disa organizata joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Pas kësaj përvoje nisi aktivitetin politik duke themeluar bashkë me aktivistët e tjerë Darko Pajoviç dhe Mladen Bojaniç partinë “Pozitivna Crna Gora” (Mali i Zi Pozitiv).

Kjo parti u bë opozitare e PDS-së së Gjukanoviç dhe shpejt mori mbështetje popullore aq sa në zgjedhjet e vitit 2012 fitoi rreth 30 mijë vota duke marrë 7 mandate deputetësh. Një prej tyre ishte dhe Abazoviç, ai ishte deputeti më i ri në Parlament.

Vetë partia Mali i Zi Pozitiv humbi mbështetjen që kishte kur në vitin 2016, tre deputetët e vetëm që i kishin mbetur, kaluan në pushtet me PDS-në e Gjukanoviç.

Mirëpo dy vite më pas pati përplasje mes drejtuesve të partisë dhe Abazoviç u largua duke themeluar bashkë me Milosh Konatar partinë URA.

“Ne e dinim se do ta ndryshonim lojën. Kemi pritur ndryshimin e qeverisë për 30 vjet. Shumë njerëz nuk e kanë besuar, por tani është realitet. E thamë se do ta shkruanim historinë dhe e shkruam. Mafia nuk do të sundojë më ne Malin e Zi”, tha Abazoviç pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku fituan 4 mandate, të cilat ishin vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Kush është Dritan Abazoviç, kryeministri i parë shqiptar

Në fund të vitit të shkuar mori gradën doktor shkencash në Universitetin e Sarajevës, ndërsa pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, kontribuoi në grumbullimin e ndihmave nga Mali i Zi duke vizituar personalisht Durrësin.

Qeveria e vjetër e Malit të Zi u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik pro-serb, Lëvizjes URA dhe Demokratëve, duke e lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit në opozitë pas tri dekadash. Me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviç, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Abazoviç siguroi numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Lëvizja Qytetare URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që kishin garuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020 në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, ndërsa më pas bëri një propozim që bëri bashkë edhe faktorin shqiptar në Mal të Zi. Kjo pasi mori mbështetje edhe nga lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe ai i Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Xheka. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Ervin Ibrahimoviç, lideri i Partisë Boshnjake.

Megjithatë dhe drejtimi i dikasterit të Ministrisë së Brendshme nga ana e tij nuk kaloi pa debate. Fillimisht me përplasjen e fuqishme që për pak sa nuk shkaktoi luftë civile në Cetinje, ku u prit Patriarku Ortodoks serb Porfirije dhe Mitropoliti i ri i Malit të Zi, Joanikije. Po ashtu, si shqiptar në Mal të Zi, nuk ishin të paktat incidentet kur kombësia e tij përdorej në konotacion negativ./dritare.net