
Kurti rivotohet për kryeministër nga VV-ja
Dritare.net
Albin Kurti është votuar unanimisht për kryeministër në Qeverinë e Kosovës, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në fjalimin e tij, ka folur për punët e mira, siç ka thënë se i kanë bërë gjatë qeverisjes së kaluar, dhe për ato që do t’i bëjnë gjatë mandatit të ardhshëm.
Ka thënë se do të përshpejtojnë rritjen ekonomike, duke rritur gjithashtu edhe pagat, pensionet dhe mbështetjen sociale.
Ka shtuar se synim i tyre është që investimet kapitale të kalojnë shifrën prej 1 miliard euro.
Kurti ka thënë se do të kujdesën për më shumë siguri e më pak krim.
“Në mandati e ardhshëm do ta nisim valutën digjitale. Transporti publik është ndër fushat që kërkohet shumë angazhim. Do të nisim me përjetësimin e programit anembanë. Do të krijojmë rrjet të integruar në gjithë territorin e vendit. Bileta do të jetë e subvencionueshme dhe me 10 euro të gjithë do të jenë në gjendje të udhëtojnë anembanë. Do të investojmë mbi gjysmë miliardi euro në Brezovicë. Do të sigurohemi që të bëhet e famshme në mbarë botën. Do të mbështesim sipërmarrësit e diasporës”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se në mandatin e ri do të mbështeten gjyshërit e secilës familje që ka fëmijë.
Ka shtuar se gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat do të marrin 100 euro shtesë çdo muaj.
“Paga minimale do të rritet mbi 500 euro. Për veturat e importuara nga BE-ja do të heqim taksën për 10 për qind. Do ta themelojmë fondin e sigurimeve shoqërore nga i cili do të themelohet pagesa për pushimin e lehonisë. Në mandatin e ri do të shtojmë bursat e mobilitetit. Do të dyfishojmë buxhetin e bursave. Do të nisim ciklin e boneve për fëmijët që hyjnë në kopshtet private”, ka thënë ai./KohaDitore

















