
Kurti: Shpërthimi në Zveçan, sulm terrorist
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon fuqishëm “sulmin me elemente terroriste” ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, duke shtuar se ky akt dhune është orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve.
Kurti ka shkruar në Facebook se është brengosëse që janë të lirë persona të lidhur me kryeterroristin Milan Radoiçiq, teksa shtoi se ata “po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.
"Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese. Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë”, ka thënë ai.
Kurti u shpreh se sulmi tinëzar me granatë është “orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës”.
Ai shtoi se institucionet po i kryejnë hetimet për t’i sjellë para drejtësisë autorët e aktit, teksa tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal. Kurti deklaroi se s’do të lejohet asnjë përpjekje për të sfiduar rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve.
“Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, tha ai./K.C/dritare.net

















