
Bllokada institucionale gjatë vitit të shkuar, zgjedhjet e raportet me Serbinë, kanë qenë në mesin e temave që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka diskutuar me ish-politikanin britanez Rory Stewart. Kurti ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë Kosovën shtet e se zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë qenë rezultat i mosbashkëpunimit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia s`pritet ta njohë Kosovën së shpejti edhe pse e ka kuptuar se është shtet. Mbi marrëdhëniet mes dy shteteve Kurti ka folur gjatë diskutimit të organizuar në “Shtëpinë e Kosovës” në Davos të Zvicrës me ish-politikanin britanik, Rory Stewart, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror. “Nga katër fqinjët që kemi, tre prej tyre na njohin: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se duan ta bëjnë së shpejti edhe pse, unë mendoj që, ata e kuptojnë më mirë se kurdoherë më parë se jemi tjetër shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë. Ajo çfarë ne kemi nevojë të ndodhë është që ëndrra e tyre për rikthim në Kosovë të shuhet”, ka deklaruar ai.
Kryeministri në detyrë ka folur edhe për bllokadën institucionale që ka përcjellë vendin që nga shkurti i vitit të shkuar. Ai ka thënë se për synim nuk kanë pasur zgjedhjet, porse ato kanë ardhur si pasojë e mungesës së bashkëpunimit nga opozita.
“Kemi provuar gjithçka. Kemi provuar që të takohemi me një ose dy parti opozitare. Njëra nuk dëshironte që të takohemi e tjetra kërkonte kryetarin e Kuvendit me vetëm tre deputetë. Dhe atëherë kur ata nuk e pranuan emrin tonë për kryetar të Kuvendit ne e ndryshuam atë disa herë dhe sërish opozitarët ju thanë jo”.
Gjatë qëndrimit në Davos, Kurti të martën ka marrë pjesë edhe në diskutimin e organizuar nga “Shtëpia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” me temën "Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250".
Sipas Zyrës së Kryeministrit, ky panel i diskutimit është pjesë e iniciativës së lansuar nga Forumi Ekonomik Botëror i quajtur "Komuniteti i Besimit në Veprim".
Qeveria ka njoftuar për takimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar me përfaqësues nga Këshilli i Jashtëm për Marrëdhënie Ekonomike “mes tyre Alexander Kunitz dhe Maximilian Hoffmann, si dhe drejtorin ekzekutiv Max Gulde nga ‘Constellr’, Carl Holshouser nga ‘CoreWeave’, Dr. Tanja Wielgoß nga ‘SPD Economic Council’ dhe Matthias Ibrahim Krug nga ‘Velmora Capital’”.
“Diskutuan mbi integritetin konkurrues si bazë për besim, qëndrueshmëri institucionale dhe klimë më tërheqëse për investime. Kryeministri theksoi progresin e Kosovës në siguri, sundim të ligjit dhe stabilitet makro-fiskal si faktorë që përkthehen drejtpërdrejt në mjedis më të mirë biznesi. U diskutua pozicionimi i Kosovës si nyje për kompanitë që kërkojnë kapacitete të besueshme dhe afër tregjeve të EMENA-s. Kryeministri prezantoi prioritetin e investimeve publike me mbi 7 miliardë euro në transport, mjedis dhe energji për të përmirësuar logjistikën dhe parashikueshmërinë ekonomike”, thuhet në njoftim.
Forumi i Davosit mbledh çdo vit liderë shtetërorë e përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu aty marrin pjesë edhe biznesmenë, akademikë e përfaqësues të shoqërisë civile./KohaDitore