Kurti për rastin e 11-vjeçares: Nuk duhet lejuar t'i vidhet fëmijëria askujt!
Dritare.net
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për rastin makabër të përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga 5 persona.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Kurti ka kërkuar dënimin e merituar për fajtorët.
" Dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme. Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale. Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër. Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku.", shkruan ai./M.K/dritare.net