
Kurti për Financial Times: SHBA dhe BE shumë të buta ndaj Serbisë!
Dritare.net

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Financial Times ka deklaruar se BE dhe SHBA po tregohen mjaft të “buta” ndaj Serbisë, ku thekson se këto të fundit duhet të caktojnë një afat për miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Kurti është shprehur se Beogradi duhet të qëndrojë në anën e Perëndimit kundër Moskës në mënyrë që t’i japë Kosovës sigurinë se është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve.
“Brukseli dhe Uashingtoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin një afat kohor Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe për të hequr dorë nga përpjekjet për t’u ulur në tre ose katër stola. Sapo Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata do të tregonin se duan të integrohen në BE dhe Serbia pa Rusinë nuk mund të kërcënojë sigurinë e kontinentit”, deklaron Kurti.
Kurti po ashtu ka refuzuar të tregojë nëse Policia e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu, por ka insistuar se ankesat e serbëve për praninë e tyre po pakësohen./M.K-dritare.net

















