
Kurti: Nuk do ta pranoja veç draftin e Asociacionit, por pakon si të plotë
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse në Bruksel do t’i ofrohej vetëm nënshkrimi i draftstatutit për Asociacionin, nuk do ta pranonte.
Në një fjalim para deputetëve në Kuvend, Kurti ka theksuar se e ka pranuar draftin e Asociacionin si pjesë e një pakete, ku përfshihet edhe Marrëveshja Bazë e Aneksi i Zbatimit.
Kryeministri ka thënë se kjo i ishte kërkuar si “urgjencë e madhe për shkak të situatës gjeopolitike” nga krerët evropianë, përfshirë SHBA-në.
“Draftstatuti i propozuar i ka vërejtjet te ndërmjetësi. Unë kam pranuar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje veç draftstatuin, nuk do ta pranoja. Ata nuk kërkuan prej meje ta pranoj veç draftin, sepse nuk do të mund ta pranoja. Po si pjesë e paketës, kur të thonë krerët evropianë, me mbështetjen e SHBA-së, është urgjencë e madhe për shkak të situatës gjeopolitike, po e bëjmë sonte pra. A është ashtu? Edhe marrëveshja bazike, edhe aneksi i zbatimit, edhe ky draftstatut. Me ato vërejtjet e mia, po le të jetë aty. Por me nënshkrim. Pa nënshkrim, s’ka pranim. Pa nënshkrim, s’ka garanci për zbatim”, ka thënë Kurti./K.C/dritare.net

















