
Kryeministër për 115 ditë, bie qeveria e Abazoviç!
Dritare.net
Pas dymbëdhjetë orësh diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit. Qeveria është rrëzuar me 50 vota pro dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Nga tani qeveria e Abazoviçit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Kërkesa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.
Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviqit nuk morën pjesë në votim.
Edhe pse Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, kjo gjë nuk kaloi.
Qeveria e Dritan Abazoviçit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë./Xh.Xh/dritare.net

















