
Kosovë/ Një javë, 70 vdekje dhe 5000 raste të reja. Shqipëria vaksinon mjekët e Kosovës!
Dritare.net
Që ngadita e hënë deri të shtunën, në Kosovë janë regjistruar 70 vdekje të shkaktuara nga Covid-19, ndërsa janë paraqitur 4882 raste të reja pozitive.
Vetëm gjatë së mërkurës, në Kosovë janë raportuar 17 vdekje brenda 24 orëve të cilat dyshohen të jenë shkaktuar nga Covid-19. Në po të njëjtën ditë, betejën me koronavirusin e ka humbur edhe një 21-vjeçar nga Prishtina. “Brenda 24 orëve janë raportuar 17 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 2 raste (52, 41 vjeç), Gjilan 2 raste (81, 79 vjeç), Prizren 2 raste (70, 83 vjeç), Suharekë 2 raste (77, 78 vjeç), Drenas 1 rast (77 vjeç), Gjakovë 1 rast (86 vjeç), Istog 1 rast (74 vjeç), Lipjan 1 rast (60 vjeç), Mitrovicë 1 rast (81 vjeç), Prishtinë 1 rast (21 vjeç), Viti 1 rast (69 vjeç), Vushtrri 1 rast (65 vjeç), Ferizaj 1 rast (78 vjeç)”, shkruhej në komunikatën e përditshme të së mërkurës, të lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Ndërkaq, numri më i lartë i rasteve ditore me koronavirus është paraqitur të shtunën, me 873 sosh, nga 4.371 mostra të marra. Kështu është bërë e ditur nga faqja zyrtare e IKSHPK’së në "Facebook". Kujtojmë se në Kosovë ende nuk ka mbërritur asnjë vaksinë kundër Covid-19, ndërsa dhjetra mjekë nga Kosova janë vaksinuar në Shqipëri, në qendrën e ngritur në qytetin e Kukësit./M.M-dritare.net

















