Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kosova voton

Kosova voton

Rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, do të mund të zgjedhin 120 ligjvënës mes 27 subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s

Zgjedhjet e sotme në Kosovë shihen gjerësisht si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe është vënë në përpjekje për një mandat tjetër.

Përgjatë fushatës partitë bënë premtime të mëdha për të rritur pagat dhe pensionet, për të përmirësuar arsimin dhe shërbimet shëndetësore dhe për të luftuar varfërinë, zotime që duken shpesh të vështira për t’u përmbushur në vendin më të varfër në Evropë.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin të votojnë dhe ka bërë thirrje për një proces të qetë e demokratik.

Radoniqi ka dhënë detaje edhe për votimin nga diaspora.

“Tashmë i kemi të dhënat edhe për Amerikë e Kanada. Diku mbi 15 mijë kanë votuar në përfaqësi diplomatike atje. Çdo gjë është gati. KQZ-ja është në detyrë e shpresojmë për një ditë festive”, tha Radoniqi pasi votoi në Pejë.

Ai ka treguar edhe për telashet që ka pasur me shënjesuesin e gishtit.

“E vërteta është që kompania kontraktuese fillimisht na furnizoj me ngjyrë që është fshirë. Por, pasi komisioni vlerësues e vërejti me kohë, i ktheu markerat dhe kompania na siguroi markera të rregullt”, tha Radoniqi.

Sa i përket për transportimin e votave nga Kroacia, Radoniqi ka thënë se bëhet fjalë për rreth 30 vota.

Ai ka thënë se gabimi është bërë që nuk janë respektuar procedurat dhe vëzhguesit nuk ishin njoftuar kur u tërhoqën, por se personat që tërhoqën votat ishin të autorizuar.

“Do të ketë rekomandim të sekretariatit dhe në bazë të rekomandimit do të marrim vendim në KQZ”, tha Radoniqi./K.C/dritare.net