Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Jakup Krasniqi: Në aktakuzë më atribuohen role që nuk i kam pasur kurrë

Jakup Krasniqi: Në aktakuzë më atribuohen role që nuk i kam

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, në deklaratën e tij përfundimtare ka theksuar se nuk e njeh veten në përshkrimin që, sipas tij, i është bërë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale në Hagë. Ai ka pohuar se akuzat e ngritura nuk i shërbejnë drejtësisë dhe aq më pak një drejtësie demokratike.

Sipas Krasniqit, në aktakuzë i atribuohet funksione dhe përgjegjësi që ai thotë se nuk i ka pasur asnjëherë. Ai ka deklaruar se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhë paragjykuese, por mbi prova të besueshme dhe të vërteta, duke shtuar se figura e përshkruar nga prokuroria nuk përputhet me personin që ai konsideron se është në realitet. Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje ndaj dëshmitarëve që, sipas tij, kanë dëshmuar për të vërtetën historike dhe faktet.

Krasniqi ka rikujtuar edhe periudhën e gjatë të burgimit, duke thënë se rreth 16 vite të jetës së tij i ka kaluar në burg, duke përfshirë edhe dënimin nga viti 1981 deri më 1991. Ai ka theksuar se qëndrimet e tij publike në vitin 1998 dëshmonin kundërshtimin ndaj politikave represive serbe në Kosovë, veçanërisht pas ngjarjeve tragjike në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, të cilat, sipas tij, shënuan një moment kthesë për ndërgjegjen e shumë shqiptarëve.

"Sot ndodhem në vitin tim të 16 të burgimit vetëm sepse luftova për lirinë dhe pavarësinë e popullit tim. Thash në vitin e 16-të sepse 10 vite e më shumë burgim i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 të jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël. Dalja ime publike më 11 qershor, 1998, tregoi që isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi vetëm pak kohë pas masakrave serbe në Qirez, Likoshan dhe Prekaz ku humbën jetën 83 njerëz shumica prej tyre fëmijë, gra dhe të moshuar, të paarmatosur dhe të vrarë në shtëpitë e tyre. Këto vrasje brutale shënuan një pikë kthese të ndërgjegjes për një brez të tërë shqiptarësh. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore e meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se pesë vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, angazhimin tim politik e jetësor jam angazhuar që herët. Për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të persekutimit dhe regjimit serb të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë të popullit të Kosovës. Për më shumë se 5 vjet besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë.", përfundoi Krasniqi./K.C/dritare.net