
Hapet gara për aksin Milot-Fier, Rama: Do transformojë ekonominë dhe turizmin!
Dritare.net
Është prezantuar sot projekti për ndërtimin e aksit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu, për të cilin është hapur gara ndërkombëtare. Në konferencë, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama i cili e konsideroi të një rëndësie të madhe këtë aks.
“Kjo është një vepër e shumëpritur prej vitesh, të cilën qysh në krye të herës ne arritëm ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit europian. Është një vepër që e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori ai proces në pritje të financimit ishte e gjatë dhe ne vendosëm të ecim vetë, çka fatmirësisht nuk shkoi e gjitha dëm sepse mundëm të marrim nga WBIF (Instrumenti i Investimeve Për Ballkanin Perëndimor) të gjithë asistencën e nevojshme, e cila sot vazhdon edhe me segmentin që për momentin është lënë mënjanë ai i Milot-Murriqan që sapo të përmbyllet konsulenca, do të hyjë në procesin e garës dhe do të kthehet në një kantier.
Kështu do të kemi që nga hyrja në Murriqan dhe deri poshtë në Fier të gjithë boshtin e korridorit blu që do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave që janë rreth këtij korridori, turizmit e bujqësisë, transformimit të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit tonë, si dhe lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza në fjalë e Mesdheut.”
Më tej kryeministri theksoi se ky investim do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike përmes tokës dhe do t’i japë fund vështirësive nga kthesa e Kamzës apo Kashari në Milot, në Lezhë dhe drejt Shkodrës.
Gjithashtu, Kryeministri Rama shtoi se: “Me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë, ndërkohë që ne po punojmë edhe për projektin e zgjerimit të rrugës nga Elbasani në Qafë- Thanë dhe po punojmë përsëri me Bashkimin Europian dhe Planin Ekonomik të Investimeve, që Korridori i 8-të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi jo thjesht një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot.”
Rama deklaroi se pas punës progresive në kantierin e aeroportit të Vlorës, zgjerimit të kapaciteteve në aeroportin e Rinasit dhe rritjes së qëndrueshme të atij të Kukësit, kompletohet gjithë rrjeti me portat e qiellit.
“Faza tjetër është faza e hekurudhave që faktikisht, kemi filluar me Tiranë-Durrës por që kemi shumë për të bërë aty, qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe qoftë me hekurudhën e Korridorit të 8-të.
Këto janë ambicie, por jo ambicie thjesht në hava, por ambicie që po materializohen hap pas hapi në procese të ndryshme, procese studimesh dhe projektimesh, procese fizibiliteti, procese të realizimit të investimeve,” u shpreh Rama në fjalën e tij. /Xh.Xh/dritare.net

















