Çfarë i tha shefi i CIA-s, Albin Kurtit! Zbardhet takimi!
Dritare.net
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare. Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai mbajti takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, "Adem Jashari".
Qeveria e Kosovës e vlerësoi vizitën e shefit të CIA-s në Prishtinë si “moment të rëndësishëm historik” në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së .
“Ajo [vizita] është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, u tha në njoftimin e ekzekutivit kosovar, të publikuar në rrjetet sociale.
Institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që të avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.
“Kryeministri Kurti e falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, u tha në njoftim.
Takimi mes Kurtit dhe Burnsit në Kosovë u zhvillua pasi kryeministri kosovar ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Presidentja Osmani, më 23 gusht, konfirmoi takimin me kreun e CIA-s, William Burns.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses”, shkroi ajo në Facebook./rel