
Dialogu Kosovë-Serbi/ Lajçak sot takim me Kurtin, nesër drejt Beogradit!
Dritare.net
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin gjithashtu edhe me zv. Kryeministrin Besnik Bislimi.
Fokusi i takimit ka qenë për përgatitjen e hapave të mëtejshëm për dialog Kosovë- Serbi. Në 11:00 Lajçak do takojë edhe kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamzën.
Në përfundim të takimit Lajçak ka dhënë një deklaratë për media.
“Erdha në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë", u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte "shumë intensiv por shumë i rëndësishëm".
Ditën e nesërme Emisari i BE do të udhëtojë për në Serbi. Ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të takohet edhe me organizatat joqeveritare serbe në Veri të vendit.
Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç./A.ZH-dritare.net

















