Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Del video para vrasjes së Liridona Ademajt/ Momenti kur Naim Murseli sinjalizon Granit Plavën

Del video para vrasjes së Liridona Ademajt/ Momenti kur Naim Murseli

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Prokuroria ka paraqitur të hënën prova të reja video dhe audio lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, ku i akuzuari kryesor Naim Murseli dyshohet se ka sinjalizuar bashkëpunëtorin e tij, Granit Plavën, për kryerjen e vrasjes.

Sipas Prokurorisë, video-incizimet e siguruara nga një lokal ku familja Murseli kishte darkuar mbrëmjen e 29 nëntorit 2023 tregojnë momentin kur Naim Murseli ngrihet nga tavolina me telefon në dorë, afrohet te tavolina ku ndodhej Granit Plava dhe kthehet pas rreth dy minutash. Në të njëjtin lokal, gjatë gjithë kohës, kishte qëndruar edhe Plava, i akuzuar si ekzekutori i vrasjes.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, sqaroi se para këtij momenti, Murseli dhe Plava ishin takuar rreth orës 16:30 në fshatin Rakovinë. Sipas saj, pamjet tregojnë edhe një tjetër takim, ku Murseli i jep Plavës një pije energjike, ndërsa ky i fundit shihet duke kontrolluar gomat e automjetit. Më pas, të dy largohen së bashku, duke biseduar për atë që Prokuroria e cilëson si planifikim të krimit.

Gjithashtu, Prokuroria ka prezantuar audio-incizime nga momenti i vrasjes, ku dëgjohet krisma e armës dhe britmat e fëmijëve.

Si prova shtesë, janë paraqitur edhe pamje që tregojnë Granit Plavën duke u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes. Po ashtu, Prokuroria ka dorëzuar fotografi që tregojnë se pas dhënies së dëshmisë në polici, Naim Murseli është parë duke hyrë në një hotel në Prishtinë, ku takohet me Kushtrim Kokallën dhe Valon Llukën.

Sipas Prokurorisë, fotografitë e siguruara nga hoteli “Swiss Diamond” tregojnë momentin kur Murseli dhe Kokalla hyjnë së bashku në hotel, si dhe pamje ku Kokalla shihet në recepsion duke kryer pagesë me para në dorë, rreth orës 01:25, menjëherë pas daljes së Murselit nga policia.

Seanca gjyqësore po vazhdon me paraqitjen e provave të tjera nga Prokuroria, ndërsa të akuzuarit vazhdojnë të deklarohen të pafajshëm./L.F-dritare/net

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)