
Biden letër Vuçiçit: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kyç për të ardhmen e rajonit!
Dritare.net
Presidenti i SHBA, Joe Biden ka uruar Aleksandër Vuçiçin për Ditën e Shtetësisë Serbe.
Në letrën e tij drejtuar presidentit serb, Biden inkurajon Serbinë që të ndërmarrë veprime proaktive për dialogun me Kosovën.
“Në emër të popullit të SHBA-së ju dërgoj urimet më të mira për ju dhe popullin serb me rastin e festimit të Ditës së Shtetësisë më 15 Shkurt. SHBA vlerëson mbështetjen që Serbia i dha Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial kur u përball me pushtimin brutal të Rusisë. SHBA mbështet fuqishëm rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi.
Ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interes të SHBA-së dhe Serbisë, dhe gjatë vitit të ardhshëm pres me padurim avancimin e këtij qëllimi duke forcuar sigurinë energjetike rajonale dhe duke zgjeruar lidhjet tona ekonomike. Pjesëmarrja e Serbisë në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ishte gjithashtu vendimtare për mbështetjen e stabilitetit në pjesë të tjera të botës. Inkurajoj Serbinë që të vazhdojë me progresin e arritur të vitit të kaluar në Dialogun me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja për normalizim dhe zbatim paraqet hapa kyç drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, thuhet në urimin e presidentit amerikan.

















