
BE: Kosova dhe Serbia ta zgjidhin çështjen e targave përmes dialogut
Dritare.net
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, pas aplikimit të reciprocitetit nga ana Qeveria e Kosovës lidhur me targat e automjeteve të Serbisë, ka thënë se BE-ja po vazhdon të monitorojë situatën në teren. Ai ka bërë thirrje që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet. Stano ka thënë se BE edhe gjatë ditës se djeshme ka deklaruar se liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian.
“Ne vazhdojmë të monitorojmë vazhdimisht situatën në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet”, deklaroi Stano
Stano tha se BE inkurajon të dyja palët Kosovën dhe Serbinë që të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes tyre, përfshirë këtu edhe lirinë e lëvizjes dhe targat.
“Ne jemi të gatshëm të presim një takim në Bruksel në çdo kohë”, ka deklaruar Stano.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet./Dritare.net

















