
Ballkani Perëndimor/ Ministrja e jashtme gjermane: Të rinj kosovarë dhe boshnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza!
Dritare.net
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të premten në Berlin të bien dakord për nënshkrimin e tre marrëveshjeve të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.
Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Ministrja gjermane e punëve të jashtme theksoi të premten gjatë fjalës hapëse në konferencë se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin.
"Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe boshnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që për ne evropianët është e zakonshme. Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”.
Baerbock tha se këto marrëveshje lehtësojnë rrugën për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal. Dokumenti përfundimtar do të nënshkruhet në samitin e 3 nëntorit në Berlin, në prani të gjithë liderëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të BE./Auswaertiges/M.K/Dritare.net

















